Malaj: Rritja ekonomike, faktet që flasin kundër
Ish-ministri i Financave dhe eksperti i PS-së, flet për treguesit e INSTAT-itTIRANË- Treguesit 9.9 për qind të rritjes ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2008, vazhdojnë të mbeten pika e nxehtë e debateve ekonomike në vend. Duke numëruar disa faktorë, të cilët analizohen për të matur rritjen ekonomike të një vendi, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i quajti të pavërteta përfundimet e Institutit të Statistikave për shifrat e publikuara para disa ditësh. Duke iu referuar Bankës Qendrore, Malaj tha se dërgesat e emigrantëve, të cilat janë një burim i rëndësishëm i konsumit dhe i investimit në ekonominë tonë, shënojnë një rënie prej 150-250 milionë euro. Për sa i përket treguesve në shkëmbimet tregtare, ai vuri theksin tek thellimi i deficitit në këtë sektor. “Diferenca në rritje e deficitit tregtar, e ul rritjen ekonomike të një vendi dhe nuk e rrit atë”, - tha Malaj. Pjesë e deklaratës së tij ishin edhe të dhënat e institucioneve ekonomike botërore. “Institucionet financiare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, parashikojnë që rritja ekonomike e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore të reduktohet me rreth 50 për qind. Gjithashtu, FMN-ja ka parashikuar rënie të ritmeve të rritjes ekonomike po me 50 për qind edhe në vendin tonë”,- citoi Malaj. Shifrën 9.9 për qind të publikuar nga INSTAT-i, Kryeministri Berisha e kishte paralajmëruar disa muaj më parë, duke deklaruar se për vitit 2008 pritet një rritje ekonomike dyshifrore. Duke vënë theksin tek marrja e masave të menjëhershme, ish-ministri i Financave tha se është më se e domosdoshme që, në këto kohë të vështira, qeveria të ndërhyjë nëpërmjet një pakete stimuluese, e cila të përfshijë ardhjen në ndihmë të kategorive në nevojë, lehtësirat ndaj bizneseve dhe reduktimin e efekteve ekonomike, sociale dhe psikologjike tek shqiptarët. “Sa më shumë qeveria vonohet të veprojë, aq më e madhe dhe e rëndë bëhet kostoja e kësaj krize”, - shtoi ai. Sipas Malajt, krahas nënvlerësimit të riskut potencial, treguesit e mësipërm rrezikojnë ta lënë jashtë paketave ndihmesë që pritet të aplikohen për vendet e Ballkanit. “Pas masave të marra për të lehtësuar ekonomitë e tyre nga pasojat e krizës, vendet e Bashkimit Evropian po shikojnë mundësinë e përgatitjes së paketave ndihmuese për vendet e Ballkanit, ndërkohë që këto shifra rrezikojnë ta përjashtojnë vendin tonë nga kjo skemë”, - shtoi më tej ai. Gjatë publikimit të këtij treguesi ekonomik, drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, deklaroi se të dhënat janë nxjerrë në asistencë të plotë të ekspertëve të FMN-së. Ajo renditi investimet në rrugën Durrës-Kukës dhe Postë-Telekomunikacionin, si kontribuesit më të mëdhenj në këtë rritje. Duke i kundërshtuar këto tregues, Malaj tha se deri në shtator 2008, investimet publike kanë qenë më pak se 50 për qind, duke e përjashtuar mundësinë që Rruga Durrës-Kukës të ketë qenë faktori i rritjes 9.9 për qind.