E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançesteri kampion bote, vendos Runi

Liga e Kuitos - Mançester Junajtid 0 - 1

Shënuesi: Runi 73'

Liga: Sevalos, N.Araujo, Kale (Ambrozi 77'), Kampos, Kalderon, Reasko (Larrea 82'), Urrutia, U.Araujo, Manso, L.Bolanos (Navia 87'), Bieler.

Mançester U: Van der Sar, Rafael (Nevil 85'), Ferdinand, Vidiç, Evra, K.Ronaldo, Kerrik, Anderson (Fletçer 87'), Park, Tevez (Ivans 51'), Runi.

Gjyqtar: Ravshan Irmatov (Uzbekistan)

Kartonë të verdhë: Anderson, Bieler, Kampos, Sevalos, Kale, U.Araujo

Karton i kuq: Vidiç 49'

Shikues: 62,619

Sulmuesi shënon golin e fitores ndaj Kuitos dhe "djajtë" kompletojnë "tripletën" e trofeve në 2008-ën

Uejn Runi shënoi golin që i dha Mançester Junajtid fitoren 1 0 ndaj Ligës së Kuitos, kampione e Amerikës Latine, në finalen e botërorit të klubeve, luajtur dje në Jokohama. Sulmuesi anglez realizoi në minutën e 73 të, i shërbyer nga Kristiano Ronaldo, duke e nxjerrë Junajtid nga "balta", pasi Nemanja Vidiç u ndëshkua me karton të kuq në fillimin e pjesës së dytë. Në këtë mënyrë, Mançesteri ka realizuar "tripletën": Premier Ligë, Champions dhe Botërorin e Klubeve, të fituara brenda një viti. Djemtë e Sër Aleks Fergusonit bëhen skuadra e parë britanike, e cila fiton këtë veprimtari, që kur ndyshoi formatin. Botërori i klubeve zëvendëson Kupën Libertadores. Sao Paolo dhe Milani kishin fituar në dy edicionet e kaluar. Ferguson bëri disa ndryshime në formacion, në krahasim me gjysmëfinalen e fituar ndaj Gamba Osakës, ndoshta duke menduar edhe për ndeshjen e ardhshme në Premier Ligë, të premten ndaj Stokes. Geri Nevil, Rajan Gigs, Pol Skols, Dimitar Berbatov dhe Luis Nani e nisën ndeshjen nga stoli. Që në minutat e para të ndeshjes, që u shoqërua nga një erë e fortë, ekuadorianët i bënë të qartë Kristiano Ronaldo trajtimin që do t'i rezervonin. Shkelmat ndaj portugezit i kushtuan atyre katër kartonë të verdhë në harkun e ndeshjes. Pjesa e parë ishte e gjitha për Mançesterin, por portieri Hoze Sevalos bëri plot katër pritje vendimtare. Tevez, në dy stituata nuk arriti të mposhtë portierin e Kuitos, ndërsa Uejn Runi, i vetëm përballë tij, e shpuri topin mbi traversë. "Djajtë" u treguan të mëshirshëm në pjesën e parë dhe kjo mund t'u kushtonte shtrenjtë, teksa mbetën me dhjetë futbollistë, katër minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Vidiç pëson një faull nga Klaudio Bieler dhe i përgjigjet duke goditur me bërryl kundërshtarin, teksa të dy ndodheshin akoma të shtrirë. E gjitha ndodhi përpara syve të gjyqtarit, që e ndëshkoi qendërmbrojtësin serb me karton të kuq. Fergusoni largoi Tevezin për të aktivizuar Ivansin. Pikërisht kur gjithçka po shkonte drejt barazimit dhe energjitë e Mançesterit po shteronin erdhi aksioni ideal. Majkëll Kerrik shërbeu për Kristiano Ronaldon, i cili gjeti të lirë Runin brenda zonës dhe 23 vjeçari nuk gaboi duke mposhtur portierin Sevalos. Kjo fitore i dha Mançesterit 5 milionë dollarë, ndërsa Liga de Kuito mori 3.8 milionë dollarë nga FIFA. Në finalen për vendet 3 4, Gamba Osaka fitoi 1 0 ndaj meksikanëve të Paçukës.

Protagonisti

Runi: Jemi më të mirët!

Uejn Runi tha se ai ishte i lumtur dhe krenar, pasi shënoi golin e fitores për Mançesterin në finalen e Botërorit për klube ndaj ekuadorianëve të Kuitos. Sulmuesi anglez shënoi golin e vetëm në një ndeshje të dominuar nga skuadra e Fergusonit, e cila luajti me dhjetë futbollistë në 40 minutat e fundit. Pas ndeshjes, Runi tha: "Eshtë fantastike, një arritje e madhe për ne. Unë jam shumë i lumtur dhe krenar që ne jemi kampionë të botës." Runi e pranon se ndeshje u vështirësua kur Vidiç u ndëshkua me karton të kuq. "U trembëm shumë, por në momentin që shënova kisha një ndjesi të jashtëzakonshme. Jam në skuadrën më të fortë të botës dhe kemi fituar gjithçka. Tani mund ta themi me plot gojën: Jemi më të mirët!"

Trajneri i Mançesterit: "Bravo" Runi! Luajtëm më mirë me dhjetë futbollistë!

Ferguson: Fitoi taktika dhe dëshira

Sër Aleks Ferguson beson se taktika e disiplinuar dhe dëshira për fitore ishin faktorët që i dhanë Mançester Junajtid suksesin ndaj Kuitos, në finalen e botërorit për klube. Mançesteri dominoi në pjesën e parë, pastaj mbeti me dhjetë futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Nemanja Vidiç. Ferguson zëvendësoi sulmuesin Tevez me qendërmbrojtësin Ivans. "Pasi mbetëm me dhjetë futbollistë luajtëm shumë të disiplinuar taktikish. Lëviznim në fushën e lojës më mirë se më parë,tha Fergusoni. - U treguam të kujdesshëm se mos pësonim gol, por pa hequr dorë nga fitorja. Fatmirësisht, gjetëm golin e fitores. Edhe pse shpërdoruam shumë raste në pjesën e parë, unë jam shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës. Shpresoj që fitorja e këtij titull të na jap entuziazmin e duhur për të fituar edhe në pjesën e mbetur të sezonit." Gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes, trajneri i Mançesteri, nuk i ka kursyer fjalët e mira për Uejn Runin, i cili u shpall futbollisti më i mirë. "Uejnë doli "njeriu i ndeshjes" dhe me siguri e meritoi diçka të tillë,pohoi Sër Aleks. - Runi luajti shumë mirë, shënoi golin e fitores dhe tregoi aftësitë e jashtëzakonshme që ka në momentet kur skuadra ka nevojë për sakrificë." Në fund, Fergusoni falënderoi tifozët. "Mbështetja e tifozëve ishte e jashtëzakonshme. Dua të falënderoj gjithsecilin prej tyre për këtë. Na pëlqeu së tepërmi kjo veprimtari dhe shpresoj të kem mundësi të marrë pjesë sërish."

"Libri i artë"

1960 Real Madrid (Spanjë)

1961 Penarol (Uruguaj)

1962 Santos (Brazil)

1963 Santos (Brazil)

1964 Inter (Itali)

1965 Inter (Itali)

1966 Penarol (Uruguaj)

1967 Rasing (Argjentinë)

1968 Estudiantes (Argjentinë)

1969 Milan (Itali)

1970 Fejënord (Holandë)

1971 Nacional (Uruguaj)

1972 Ajaks (Holandë)

1973 Independiente (Argjentinë)

1974 Atletiko Madrid (Spanjë)

1975 Nuk u zhvillua

1976 Bayern Munich (Gjermani)

1977 Boca Juniors (Argjentinë)

1978 Nuk u zhvillua

1979 Asuncion (Paraguaj)

1980 Nacional (Uruguaj)

1981 Flamengo (Brazil)

1982 Penarol (Uruguaj)

1983 Gremio (Brazil)

1984 Independiente (Argjentinë)

1985 Juventus (Itali)

1986 River Plate (Argjentinë)

1987 Porto (Portugali)

1988 Nacional (Uruguaj)

1989 Milan (Itali)

1990 Milan (Itali)

1991 Crvena Zvezda (Serbi)

1992 Sao Paulo (Brazil)

1993 Sao Paulo (Brazil)

1994 Velez (Argjentinë)

1995 Ajaks (Holandë)

1996 Juventus (Itali)

1997 Dortmund (Gjermani)

1998 Real Madrid (Spanjë)

1999 Mançester U (Angli)

2000 Boka Zhuniors (Argjentinë)

2001 Bayern Munich (Gjermani)

2002 Real Madrid (Spanjë)

2003 Boca Juniors (Argjentinë)

2004 Porto (Portugali)

2005 Sao Paulo (Brazil)

2006 Internacional (Brazil)

2007 Milan (Itali)

2008 Mançester U (Angli)

Shënim: Që nga viti 2005 veprimtaria ka ndryshuar format. Më parë luhej vetëm ndërmjet kampiones së Europës dhe kampiones së Amrikës Latine, ndërsa tani janë përfshirë dhe kontinentet e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›