Mashtrime me mjeshtri për përfitime personale
Drejtori Ymaj shpjegoi raste se si simulohet realiteti, duke u paraqitur si i sëmurë, përdhunuar apo i dëmtuar
Mjekësia Ligjore
Paraqitje të rreme të realitetit, duke simuluar një sëmundje të paqenë, një ngjarje të pavërtetë, madje edhe simulime dëmtimesh trupore. Të gjitha këto bëhen për një qëllim të caktuar, sidomos për të fituar lirinë nga burgu, përfitime materiale dhe të tjera. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, shpjegon llojet e simulimeve, me të cilët ndeshen ekspertët e këtij institucioni dhe metodat që përdorin ata për të zbuluar të vërtetën.
Simulimet
Në objektin e ekspertimeve të personave, në praktikën mjekoligjore kryhen edhe ekspertime të personave që paraqesin simulime të ndryshme, si një mashtrim i ndërgjegjshëm që konsiston në provokimin, imitimin ose teprimin e turbullimeve patologjike subjektive dhe objektive, siç ka raste dëmtimesh të kryera edhe nga vetë personi për një qëllim të caktuar. Kështu e nis shpjegimin drejtori Ymaj, duke theksuar se simulimi, në konceptin mjekoligjor, është paraqitja e rreme e realitetit, si p.sh., sëmundje ose simptomat e një sëmundjeje të paqnë, po ashtu kemi simulime ngjarjesh të ndryshme, si fatkeqësi, konflikte me imitim dëmtimesh për interesa të ndryshme pronësie apo divorci, grabitje, sulme, përdhunime seksuale, vrasje ose vetëvrasje. Të gjitha këto raste paraqiten me shumicë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas doktor Besim Ymajt, të shpeshta janë simulimet për sëmundje psikike (epilepsia, psikozat maniakale depresive), që hasen kryesisht tek personat e akuzuar për vrasje, trafik droge, vjedhje, përdhunime, etj. “Ka të dënuar ose të paraburgosur që imitojnë shumë mirë krizën e epilepsisë, gjendjen e rëndë, duke imituar kriza, gjendje të fikëti. Këto i kemi pasur edhe kohët e fundit, ku persona të akuzuar për keqtrajtime apo tentativë vrasjeje, e paraqesin veten në gjendje të rëndë në sallën e gjyqit, duke imituar një gjendje të fikëti të papërcaktuar, jo objektiv, siç doli më pas nga ekspertiza mjekoligjore”, - thekson Ymaj, duke shtuar se ka edheraste të tjera të imitimit të vrasjes nga vetëdëmtimet, e shumë e shumë raste simulimesh nga personat e arrestuar ose të dënuar për të përfituar nga arresti, apo lirimin e tij nga vuajtja e dënimit.
Ekspertimet
Ekspertimet, kur janë të vështira kërkojnë profesionalizëm dhe ekspertizë praktike. Por ndodh që simulimi është kaq i dukshëm, saqë mund të kuptohet menjëherë, por ka edhe raste kur simulimi kryhet me kaq mjeshtri, saqë është shumë e vështirë për ta zbuluar atë. Të ndodhur përballë këtij realiteti, drejtori i Mjekësisë Ligjore, Ymaj, shpjegon se në të gjitha rastet, simuluesit duhet të ekzaminohen nga eksperti mjekoligjor, në bashkëpunim me specialistët përkatës, sipas natyrës së simulimit, duke përdorur të gjitha metodat e këqyrjes që njihen sot nga shkenca mjekësore dhe kriminalistike, duke vërtetuar të dhënat objektive dhe subjektive me anën e analizave të ndryshme biokimike e biologjike, të provave funksionale, e të ekzaminimeve imazherike. “Ato varen edhe nga intelekti dhe niveli kulturor i personit simulues që këqyret, personat e pazhvilluar dallohen që në paraqitjen e rrethanave të çështjes, e më pas në tablonë e paraqitjes së ankesave dhe të dëmtimeve, të cilët përpiqen të riprodhojnë, por shpesh vetëm imitojnë disa nga shenjat me karakter subjektiv”, -shpjegon Ymaj, duke shtuar se, një person me intelekt dhe kulturë, përdor metoda më të stërholluara, kërkon të riprodhojë me tepër shenja me karakter subjektiv, të cilat kanë vështirësi në përcaktimin e tyre objektivisht. Në këto raste ka rëndësi shumë të madhe aftësia e ekspertit, si dhe mënyrat e përdorimit të metodave psikologjike, biologjike dhe klinike të ekzaminimit.
Ymaj: Ja si veprohet me rastet e mashtrimeve të përdhunimeve
Instituti i Mjekësisë Ligjore pret plot raste simulimesh, ngjarjesh me përdhunime seksuale, për qëllime të ndryshme përfitimi apo për t’ju kundërvënë një personi të caktuar. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Ymaj, në këto raste tipike, eksperti, që në prezantimin e tij si ekspert, bën marrjen e informacionit nëpërmjet intervistës që u merr këtyre rasteve të personave simulues, duke dëgjuar dhe pyetur në raste të veçanta për të bërë një psikanalizë të personit që ekzaminohet, e më në fund për të arritur në shkaqet dhe në të dhënat objektive të konstatuara që personi dëshmon gjatë ekzaminimit. Analizimi me detaje i çdo gjëje, duke filluar nga veshja, paraqitja e tij, intelekti, arsimimi i tij, qëndrimi gjatë ekzaminimit, veçoritë e dëmtimeve, lokalizimi i tyre, marrja e çdo prove apo mostre për ekzaminim, hezitimet që mund të bëjnë ai, skicimi, dokumentimi dhe fotografimi i dëmtimit dhe rezultati i ekzaminimeve plotësuese, çon drejt dhënies së konkluzioneve të sakta të ekspertimit. Mungesa e të dhënave objektive, vërteton të gjitha rastet e simulimeve. Prandaj është e domosdoshme ekspertiza mjekoligjore e të gjithë këtyre rasteve. Kur vërtetohet ky simulim, duhet të vërtetohet në ç’mënyrë është shkaktuar ky simulim, simptomë somatike, sëmundje, dëmtim apo ngjarje, etj.