E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karraro: Titulli 2006 për Interin, i nxituar

Pas përfshirjes në skandalin "Calciopoli", ku u përgjua një bisedë telefonike me shefin e gjyqtarëve, Paolo Bergamo të përjashtuar për 4 vite e gjysmë nga Gjykata e Kasacionit, ish-presidenti i Federatës Italiane, Franko Karraro, është rikthyer të flasë në një konferencë shtypi, duke lënë të kuptohet se nuk mendon të rikthehet më në poste drejtuese të sportit italian. "Mbetem i bindur se kam bërë mirë që jam dorëhequr para majit 2006, ka vazhduar më tej Karraro, por kam vuajtur shumë, sepse vendimi im është interpretuar si pranim i fajit". Më pas Karraro është rikthyer të flasë për çështjen e titujve, që iu hoqën Juventusit dhe atë të 2005-2006, i cili iu dha në tavolinë Interit: "Vendimi i politikës sportive për t‘i dhënë titullin në tavolinë Interit ka qenë i nxituar: mundej dhe duhej pritur, edhe për të mos trazuar shpirtra të cilët nuk ishin të qetë. Ritheksoj faktin se e shikoj gjithnjë si të drejtë dhënien e një titulli, por mendoj se në atë rast ishte koha e duhur: ishte një sforcim i vërtetë".

Pasi ka përfunduar argumentet në lidhje me skandalin e "Calciopoli", Karraro më pas ka shpërndarë pakënaqësi mbi temat e futbollit italian, duke u nisur nga zhgënjimi për humbjen e kandidaturës së Italisë për të mikpritur Europianin 2012: "Më vjen vërtet keq që UEFA ka zgjedhur Poloninë e Ukrainën dhe më shumë se mua po i vjen keq vetë Mishel Platinisë, sepse tashmë UEFA po paguan një çmim shumë të lartë për këtë vendim të marrë. Sigurisht, Kampionati Europian mund të zhvillohej shumë më mirë te ne (në Itali,) por zgjedhja e Komitetit Ekzekutiv i detyrohet faktit se Italia ka hequr dorë nga lobimi. Më 2005-ën ishim të parët në tabelën e renditjes së UEFA-s, prandaj menduam se nuk do të ishte nevoja për lobingje". "Uroj që Italia të mund të ketë sukses, ka shtuar më pas ai, por unë nuk do të kem një rol operativ. Rëndësia e mikpritjes së Kampionatit Europian 2016 qëndron te fakti se ne bëjmë projekte vetëm nëse ka okazione të rëndësishme dhe për ne ky do të ishte rasti më i mirë për t‘i rindërtuar stadiumet". Prandaj Karraro ka prekur gjithashtu edhe temën e stadiumit dhe të ligjit të ri në diskutim nga Senati, duke bërë të njohur se "edhe nëse kam respekt për legjislativin, me këtë ligj nuk rregullohen punët. Është e nevojshme të instalojmë një dialog mes klubeve dhe komunave për të përcaktuar se çfarë duhet bërë. Rrugët janë dy: të rimodernizojmë stadiumet ekzistente apo të bëjmë të rinj. Nëse do të vendoset të rikonstruktojmë këto që kemi, pastaj lind nevoja t‘ua shesim impiantet klubeve ose t‘ua japim në menaxhim për periudha të gjata, për shembull për 100 vjet. Por nëse vendoset të bëjmë stadiume të reja, është e nevojshme të parashikojmë mundësinë e biznesit dhe të strehimit. Ja përse ligji i ri duhet të thjeshtëzojë procedurat për komunat ose t‘ua shesë impiantet klubeve, ose të thjeshtëzojë proceduar për koncesione biznesi e strehimi. Shteti mund të bëjë pak, ky është një vendim që duhet marrë në nivel lokal. Duhet "federalizëm" dhe unë nuk e kam parë të ketë të tillë te ky ligj". Një tjetër argument i prekur në konferencën e shtypit është ai që lidhet me situatën e klubit të Romës: "Duhet studiuar mënyra që "Unicredit: dhe familja Sensi të gjejnë një mënyrë për të menaxhuar situatën. Për sa kohë që nuk do të gjendet një blerës, të falënderojmë Sensët dhe ta lëmë të qetë si klubin dhe skuadrën, për të mbajtur të paprishur atë që mund të shpëtohet nga ky moment".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›