Tevez akuzon Sër Ferguson: U largova për fajin e tij
Vetëm pasi u bë zyrtarisht pjesë e projektit ambicioz të sheikut Al Mansur për shndërrimin e Mançester Sitit në një skuadër elitare, Karlos Tevez ka nisur polemikën në distancë me Sër Aleks Ferguson. Argjentinasi akuzoi trajnerin e Mançester Junajtid, si personin përgjegjës që e shtyu larg "Olld Traford". "Është faji i tij që nuk qëndrova te Junajtid. Gjatë dy viteve atje, nuk më telefonoi kurrë, madje s‘më ka dërguar asnjë mesazh. Rasti i vetëm kur më foli me gojë ishte pas finales së Ligës së Kampioneve në Romë, për të më komunikuar grumbullimin në përfaqësuesen e Argjentinës", tha sulmuesi. "Nuk mendoj se kjo është mënyra e duhur për të trajtuar lojtarët. Ferguson nuk më foli asnjëherë për mundësinë e rinovimit të kontratës, ose për shanset që të qëndroja te ‘Red Devils‘ dhe unë u detyrova të bëja zgjedhjen time. Tifozët e Junajtid do ta kuptojnë këtë vendim, ata mbeten në zemrën time. Paratë nuk janë synimi i vetëm në jetë: Siti më donte me çdo kusht dhe këtu gjej një trajner, që më vlerëson. Këto ishin gjërat për të cilat kisha nevojë dhe që i cilësoj të rëndësishme. Ky klub ka ambicie të mëdha dhe dëshiroj të jap kontributin tim për ta ngritur mes skuadrave më të forta në Europë". Ndërkohë, "BBC" theksonte se "Sitizens" janë fare pranë zyrtarizimit të Emanuel Adebajor. Ata bënë të ditur se dje në mëngjes, sulmuesi nga Togo zhvilloi vizitat mjekësore te Siti, ndërsa Arsenali do të përfitojë rreth 37 milionë euro nga transferimi. Gjithsesi, menaxheri i Adebajor këmbënguli se lojtari nuk ka kryer testet, pasi ishte në stërvitje me "topçinjtë".