E Diel, 1 Nëntor 2026

Karriera politike dhe përgjegjësia, a shkojnë bashkë?

Opinion

Menaxherët e politikës në Maqedoni kanë filluar seriozisht të merren me përpunimin e opinionit publik, duke e ndarë krizën në pjesë dhe fragmente të vogla, brenda poreve të shoqërisë, në mënyrë që ajo të mos ketë mundësi të akumulohet vetëm në një pikë dhe vetëm në një kah. Përderisa është kështu, politikanët e kanë më të lehtë të prodhojnë vetë krizë dhe vetë të paraqiten në fund si shpëtimtarë. Balonat e shpëtimit ata kanë filluar t’i nxjerrin në pah. Nga njëra anë Cërvenkovski, duke u munduar “t’i shpëtojë” shqiptarët nga “tirania e Gruevskit”, në anën tjetër Ahmeti me Gruevskin bëjnë lojën e nervave, për të provuar se deri ku mund të shkojë tolerimi brendaqeveritar, atje përtej PDSH e DR protestojnë për disa parime të humbura të demokracisë, kurse nuk mungon edhe presioni civil, që me zemër të plasët po e përjeton krejt këtë dramë me epilog të panjohur. Të gjithë kundër të gjithëve dhe të gjithë në fund mund të jenë bashkë. Këtë film, njerëzit në Maqedoni e kanë shikuar disa herë. Ajo që nuk dihet hë për hë është pyetja se prej nga buron bindja e politikanëve, se populli është shumë naiv për të gëlltitur llokumet që ata gatuajnë. Sepse, vërtet duhet të jesh shumë naiv për të mos kuptuar se krizat në Maqedoni nuk kanë përfunduar me një zgjidhje pragmatike, por me një koalicion interesash të gjëra. Kjo vlen sidomos për ato forca politike që frikësohen të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, ku do të formalizonin fuqitë e tyre politike në elektorat. Në vend të kësaj, ata parapëlqejnë koalicione të gjëra, ku përgjegjësia edhe më tej do të ketë adresë kolektive dhe ku keqbërësit e deritanishëm do të ngelnin pa u ndëshkuar penalisht, politikisht, moralisht. Një shtet si Maqedonia, që i ka të mbyllura portat e komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare, për shkak të mungesës së pragmatizmit dhe fleksibilitetit për të gjetur zgjidhje të kapshme kompromisi, është i destinuar të shndërrohet në një kazan të gërditshëm antivlerash, ku ndërskamsat dhe sjelljet amorale të politikanëve bëhen mjetet kryesore për mbijetesë. Shtyrja me kokëfortësi e problemeve “për një kohë tjetër” për t’u zgjidhur dhe komunikimi i partnerëve të koalicionit përmes konferencave të shtypit, flet për krizën e qeverisjes efikase dhe të besimit të ndërsjellë. Në lojën e Gruevskit, për t’i mbajtur pezull disa probleme të hapura, çuditërisht po luan mirë Ali Ahmeti, por e keqja e kësaj tangoje qëndron në epilogun jo të lavdishëm të këtij të fundit. Pas çdo deklarate të tij për mosdalje nga koalicioni, nuk po shohim ndonjë vullnet minimal të Gruevskit “për ta zbutur zemrën” dhe na kujton kohën e famshme të Abdurrahman Alitit e të Branko Cërvenkovskit, të cilët asnjëherë nuk arritën ta prishin kumbarinë politike-qeveritare, edhe atëherë kur situata në terren ishte si mos më keq. Situata “hiq e mos këput” duhet të ketë një fund dhe nuk mjafton protesta e Teuta Arifit për të kuptuar ne se vërtet brenda BDI-së ka një mendim të pjekur dhe kritik që i thotë gjërat shqip e troç, kur është në pyetje (mos)vazhdimi i bashkëpunimit politik me Gruevskin. Mund të tingëllojë diplomatike me elemente shantazhiste sjellja e liderit të BDI-së, i cili paradite deklaron se nuk do ta prishë koalicionin me Gruevskin, kurse pasdite takohet me Cërvenkovskin, por pyetja që del vetvetiu nga kjo mënyrë e praktikimit të diplomacisë politike është se çfarë hajri kanë shqiptarët, nëse një politikan shqiptar mundohet të mos rrëzohet në greminë edhe kur parapëlqen të ecë nëpër fijen e telit. Me fjalë të tjera, a mundet të përkthehet kjo sjellje taktike si përpjekje maksimale për të shpëtuar karrierën politike në kurriz dhe në dëm të disa interesave më të përgjithshme. Ata (populli) që janë të interesuar të mos ketë më krizë, sepse me krizën po bashkëjetojnë disa vjet, nuk kanë mjete dhe instrumente si politikanët për ta transferuar krizën nga një stinë në tjetrën dhe prej krizës të bëjnë karrierë. Prandaj është çështje kohe kur do të shohim të gdhijmë me një krizë të re, nga e cila mund të përfitojnë vetëm ata që e prodhojnë. Kalorësit e krizës në Maqedoni kanë njerëz dhe para ta mbajnë gjallë këtë sistem mashtrues të opinionit publik, duke i krijuar vetes komoditetin e të qenit të padukshëm natën dhe demagogë ditën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›