Tradita e filmit rikthehet në Durrës
Pas projeksioneve të suksesshme në qytetet turistike të Sarandës, Vlorës dhe Pogradecit, prej dy ditësh “Prolog Giffoni” ka ndaluar në Durrës. Ky qytet, prej katër vjetësh tashmë është pjesë e itinerarit të “Giffoni Film Festival”, duke sjellë për fëmijët dhe të rinjtë prodhimet më të mira kinematografike botërore. Në atmosferën e një qyteti që ka çelur sezonin turistik, projeksionet e “Prolog Giffoni” kanë qenë të pranishme në ambiente të hapura dhe në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në mungesë të një salle kinemaje. Por kjo nuk i ka penguar nxënësit dhe gjimnazistët të shijojnë projeksionin në ekranin e madh, me tema sociale dhe argëtuese. Për të përshëndetur festivalin kanë qenë të pranishëm edhe dy drejtuesit e pushtetit lokal të qytetit, kryetari i bashkisë z. Vangjush Dako dhe prefekti z. Genci Alizoti. “Ky aktivitet vjen në një kohë kur qyteti ka çelur sezonin turistik dhe më vjen mirë që festivali i filmit për fëmijë dhe të rinj ka gjetur edhe mbështetjen e bashkisë së qytetit. Dëshiroj që t’i uroj suksese në vazhdim këtij formati”, ka thënë në përshëndetjen e tij prefekti Alizoti. Në këtë takim të hapur, jozyrtar me gjimnazistët, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka theksuar se ai i jep mirëseardhjen për të tretën herë këtij festivali, ndonëse ky është i katërti vit që “Giffoni Film Festival” është i pranishëm në këtë qytet. “Dua të falënderoj presidentin e ‘Giffoni Shqipëria’, z. Namik Ajazi, që ka mundur të sjellë kinemanë për fëmijët në qytetin tonë. Përveç mësimeve, të rinjtë tanë kanë nevojë të njihen me kinemanë, pasi ajo u mungon”, ka thënë z. Dako. Me natyrën energjike, që herë-herë të bën të besosh se këta të rinj kanë botën e tyre “të padepërtueshme”, përfton një tjetër përshtypje sapo filmi mbaron. Ata duan të diskutojnë, të ndajnë me bashkëmoshatarët e tyre detaje që veçanërisht i kanë tërhequr dhe bëhen pjesë aktive e këtyre projeksioneve. “Un sogno ad occhi aperti” (“ëndërr me sy hapur”), një bashkëprodhim anglezo-francezo-gjerman i regjisorit Paul Morrison, ka krijuar një atmosferë gjithëpërfshirëse në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Secili prej tyre e ka parë paksa veten te protagonisti i filmit David Uajsman, një djalosh 11-vjeçar që ëndërron të bëhet një lojtar i njohur kriketi, por i mungon talenti. Për këtë, shpesh e vënë në lojë shokët e shkollës, por ëndrra e tij fillon të marrë jetë kur një familje xhamajkane vjen të jetojë në shtëpinë ngjitur. Pa e kthyer në një film të angazhuar, regjisori Paul Morrison vë në diskutim një çështje të mprehtë sociale: raportet mes racave dhe diskriminimin shoqëror të tyre. Familja e David është hebreje, fqinjët e tyre janë zezakë dhe fqinjët e tjerë i vënë mes dy zjarreve. Por kjo nuk e pengon as Davidin të mësojë kriketin me ta dhe as familjen e tij t’u shmanget paragjykimeve. “Ne nuk duhet të jemi racistë, një problem social tashmë historik për shoqëritë tona”, ka thënë një vajzë, teksa një tjetër e lexon ndryshe këtë film: “Nëse ne kemi vullnet, asnjë ëndërr nuk është e parealizueshme”. Duke vazhduar këtë dialogim të drejtpërdrejtë dhe të natyrshëm, “Prolog Giffoni” udhëton sot drejt Lezhës, për të “takuar” të tjerë fëmijë e të rinj dhe për t’i sjellë më afër kinemasë.
#