Karroca përplaset me benzin, vdes 38-vjeçari
Një tjetër person në gjendje të rëndë, ndërsa policia ka bërë të mundur shoqërimin e shoferit të automjetit
Korçë Aksidenti përgjak të shtunën, vdes 38-vjeçari, një tjetër në gjendje të rëndë. Aksidentet automobilistike për shkak të shpejtësisë kanë qenë të përhershme në qarkun e Korçës, ndërsa për fat të keq ai i radhës është regjistruar në mëngjesin e së shtunës. Një benz është përplasur me një karrocë dhe bilanci është një i vdekur dhe një i plagosur në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se aksidenti ka ndodhur në orën 06.15 minuta në aksin kombëtar Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Gurishtë në rrethin e Korçës. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, duke konstatuar në të se një mjet tip Benz me targa bullgare CA 9918 PK me drejtues shtetasin Spiro Nasto, 29 vjeç, banues në fshatin Djellas të komunës Liqenas në Korçës, është përplasur me një karrocë të tërhequr nga një kafshë. Në karrocë ndodhej shtetasi Përparim Osmanllari, 38 vjeç, banues në fshatin Gurishtë. Fermeri kishte dalë si çdo ditë të merrej me punët e bujqësisë, por nuk ka munduar as t’i nisë ato, pasi ka mbetur i vdekur gjatë aksidentit automobilistik. Drejtuesi i mjetit dhe ai i karrocës pas përplasjes janë dërguar në spitalin civil të Korçës, për të marrë ndihmën mjekësore. Shtetasi Përparim Osmanllari ka qenë në gjendje të rëndë në repartin e reanimacionit dhe me pas ka ndërruar jetë. Me gjithë ndihmën e bluzave të bardha në spitalin rajonal të Korçës, viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve të shumta trupore. Ndërkaq shtetasi Spiro Nasto ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, duke u mjekuar në spital. Policia ka ngritur një grup pune për këtë ngjarje, i cili po punon për dokumentimin dhe zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti tragjik.
Irena Vreto