E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, Rama: Do te shfuqizojme aktin normativ

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi ditën e djeshme në një takim me ish-ushtarakët se forca që ai drejton, do të kërkojë shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë për pensionet e ish-ushtarakëve. "Pa dyshim do të shfuqizojmë edhe aktin normativ, që Saliu, në kundërshtim me Kushtetutën dhe në mungesë të plotë respekti për dinjitetin tuaj do të kalojë ditën e enjte në Parlament. Ndryshe nga Saliu, ne dimë t’i lexojmë dhe kemi dëshmuar tradicionalisht se dimë vetëm t’i respektojmë", - tha Edi Rama. Sipas kryesocialistit, Kryeministri Berisha ka shkelur vendimet e gjykatave edhe duke dalë mbi vendimet e tyre në shkelje të të drejtave të ushtarakëve. Ai theksoi se shteti i ka nëpërkëmbur ish-ushtarakët, të cilët i kanë shërbyer me shumë përkushtueshmëri vendit. “Ne jemi këtu për t`ju dhënë mbështetjen tonë. Shteti ka nëpërkëmbur ushtarakët deri në poshtërim të qytetarëve të këtij vendi që i kanë shërbyer me devocion shtetit”, - u shpreh Rama. Kryetari i selisë rozë vazhdoi akuzat ndaj qeverisë me një ton fushate elektorale, duke e cilësuar atë një organizatë fitimprurëse dhe sjellëse të padrejtësisë në sistem. "Ne nuk ju premtojmë as ju dhe askujt tjetër në njerëzit e zakonshëm të këtij vendi mrekullinë, por angazhimin tonë, me mish e me shpirt, që qeverisja të jetë për njerëzit e zakonshëm, që jeta e shqiptarëve të zakonshëm të normalizohet. Ne ju premtojmë juve që sot vuani padrejtësinë e kthyer në sistem qeverisës, nxjerrjen nga balta ku ju ka lënë Saliu", - tha Rama. Gjithashtu edhe në këtë takim kreu i opozitës nuk ngurroi të sulmonte përsëri Kryeministrin Berisha për situatën e vështirë të përmbytjeve në vend, të cilën ai e cilësoi si pasoja të papërgjegjshmërisë dhe të korrupsionit në qeveri. Sipas Ramës, formacioni politik që ai drejton, do të vijojë përpjekjet maksimale për t’i dhënë fund, siç tha ai, qeverisjes se klanit “Berisha”, për të sjellë modelin qeverisës për njerëzit dhe me njerëzit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›