E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellimi i Bunes, nenshkruhet marreveshje me Malin e Zi

Shtrati i lumit Buna do të thellohet dhe brenda muajit mars pritet që ekspertët të fillojnë punën. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, nënshkroi dje një marrëveshje me homologun e tij në Malin e Zi, zotin Milutin Simovic, për thellimin e këtij lumi, i cili gjatë këtyre viteve është mbushur me inerte dhe gurë. Pamundësia e Bunës për të tërhequr ujin çoi edhe në rritjen e nivelit të liqenit dhe përmbytjen dramatike të qytetit të Shkodrës. “Duhet të nisim me disa ndërhyrje të emergjencës që janë riparime të disa dëmeve dhe me projekte konkrete që do të sjellin zgjidhje afatmesme dhe afatgjata. Emergjenca kërkon që ne të ndërhyjmë për të shmangur sadopak pasojat e përmbytjeve, ndërsa perspektiva kërkon impenjime të thella”, - tha Mediu.

Ky projekt, i cili është mbështetur nga pala malazeze, do t’u shërbejë të dyja vendeve për mbrojtjen nga përmbytjet. Ministri malazez tha se ky projekt do të shërbejë edhe si një urë bashkëpunimi mes dy vendeve fqinje që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Shtabi i Emergjencës e ka arritur qëllimin, janë ruajtur jetët e njerëzve, është arritur qëllimi kryesor. Ne të dy palët kemi pasur kontakte çdo dy orë dhe themi që është një hap i mire dhe një hap që do të çojë në realizimin e projekteve afatgjata. Rregulli i kësaj çështjeje kërkon kohë, por tregon se projekti është kompleks dhe do të punojnë për realizimin e tij. Pala malazeze dhe shqiptare janë gati për realizimin e këtij projekti”, - tha Simovic. Mbi 10 mijë ha në Shkodër vazhdojnë të jenë të përmbytura dhe shumë komuna e bashki janë të bllokuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›