“Nga 26 taksa vendore, Qeveria do mbajë vetëm 6”
Berisha diskuton me përfaqësues vendorë të qarkut Dibër, për thellimin e decentralizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm
Gjatë vizitës në Peshkopi, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim të zgjeruar, në Pallatin e Kulturës, me kryetarët e njësive vendore, bashki dhe komuna, të qarkut Dibër, me praninë edhe të deputetëve të qarkut, drejtuesve të administratës shtetërore, përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në këtë qark. Takimi kishte qëllim diskutimin mbi forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit rajonal dhe decentralizimit. Kryeministri Berisha u fokusua në dy çështje kryesore: thellimin e decentralizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kryeministri Berisha dëgjoi me vëmendje problematikën e prezantuar dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit vendorë, kryesisht të lidhura me infrastrukturën në tërësi. Kryeministri i siguroi për mbështetjen e plotë dhe pa dallim të qeverisë, për çdo projekt të tyre që lehtëson e përmirëson jetën e banorëve në qarkun e Dibrës, sikundër kudo në vend. Duke folur për rëndësinë e decentralizimit dhe vendosmërinë e qeverisë për ta thelluar më tej atë, Kryeministri i njohu përfaqësuesit e pushtetit vendor me vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë një hap të madh të në drejtim të decentralizimit fiskal, përmes transferimit të taksave pushtetit vendor. Kështu, nga 27 taksat kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6 dhe të tjerat do t’ia transferojë pushtetit vendor, po ashtu 25 për qind të çdo rente, do t’i kalojë pushtetit vendor. “Ne, tha Kryeministri, do të përpiqemi që të ardhurat kombëtare të ndahen shumë më mirë, sesa janë ndarë deri më sot. Por të gjitha këto kërkojnë që ju të merrni në dorë me përkushtimin më të madh udhëheqjen e zhvillimit të komuniteteve që ju drejtoni”. Një çështje të një rëndësie jetike për të ardhmen e vendit, Kryeministri konsideroi zhvillimin e qëndrueshëm, duke e përcaktuar zhvillimin e qëndrueshëm “promotor i ndërtimit të së ardhmes” për ata që “vijnë pas nesh”. “Ne i kemi të gjitha potencialet, si rrallë ndonjë vend tjetër, për të ndërmarrë këtë proces historik për vendin, për të bërë çdo hap në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Kryeministri. Në funksion të arritjes së këtij qëllimi, Kryeministri u bëri thirrje drejtuesve vendorë të hartojnë programin dhe strategjinë e zhvillimit të komunës së tyre, ku të përparësojnë burimet e tyre më të mira. Kryeministri vlerësoi si potenciale që mund të përparësohen në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, burimet ujore, turizmi, zhvillimi i projekteve të drurëve frutorë etj. “Ne, tha Kryeministri, duhet të jemi shumë ambiciozë. Ne jemi në garë dhe nuk duhet të jetojmë asnjë minutë me kompleksin e të shkuarës. Ne ia dalim! Kjo duhet të jetë motoja jonë”, tha ai. Kryeministri u ndal edhe në një çështje të mprehtë, pastrimin dhe mbrojtjen e mjedisit, duke u kërkuar drejtuesve vendorë të ndërmarrin çdo lloj veprimi, për një territor të pastër.
...