E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH, marrëveshje për ndërtimin e dy shtëpive për të sëmurët mendor



Në ambientet e QSUT-së do të ndërtohen dy shtëpi për trajtimin e të sëmurëve mendorë. MSH-ja nënshkroi një marrëveshje me Komunitetin italian Sant’Edigio. Ky do të jetë një model i ri në sistemin shëndetësor kombëtar, që synon një frymë tjetër mjekimi dhe përkujdesjeje për të sëmurët me probleme mendore. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh gjatë nënshkrimit të marrëveshjes se ky projekt integrohet shumë mirë me reformimin e shëndetit mendor në Shqipëri. Në projektin e financuar nga Kooperazioni Italian, janë përfshirë konferencat episkopale italiane dhe rrjeti i donatorëve të Komunitetit Sant’Edigio. Vlera e projektit është rreth 1 milion euro. Pas ndërtimit, godina do të kalojë në pronësi të palës shqiptare dhe do të menaxhohet bashkërisht për 20 vjet. Dy shtëpitë e mbrojtura do të presin 16 persona, që aktualisht jetojnë në repartin e pacientëve kronikë në shërbimin universitar të Psikiatrisë në Tiranë, me të cilët komuniteti Sant ‘Edigio është i familjarizuar prej 15 vitesh. Ndërtesat do të ndërtohen në një terren që i është dhënë Komunitetit Sant’Edigio me Vendim të Këshillit të Ministrave. Projekti parashikohet të përfundojë brenda dy viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes. Projekti integrohet në reformën e shëndetit mendor në Shqipëri, që parashikon decentralizimin territorial të shërbimeve të shëndeti mendor ndaj të sëmurëve dhe familjeve të tyre, ridimensionimin e spitaleve psikiatrike, strehimin e personave të deinstitucionalizuar në struktura rezidenciale alternative. Ky projekt ndikon drejtpërdrejt në reformën e shëndetësisë dhe ndihmon Shqipërinë të afrohet me standardet europiane në drejtim të kujdestarisë dhe përkujdesjes së shëndetit mendor. Në kuadër të këtij projekti, do të trajnohet personeli që do të punojë në këto dy shtëpi, me synim, krijimin e një figure profesionale të sistemit shtëpiak të rehabilititmit psiko-shoqëror. Projekti synon të fusë në shoqërinë shqiptare një kulturë të re drejt integrimit të të sëmurëve psikikë, që do të realizohet përmes sensibilizimit dhe fushatave të informimit, që do të realizohen nga komuniteti Sant’Edigio, etj.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›