Karta identiteti për të huajt në Britani
“Shtetasit e vendeve jashtë Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) që kanë viza qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar për mbi 6 muaj, që nga 25 nëntori duhet të pajisen me një kartë identiteti (letërnjoftim)”, - njofton ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Masat e reja merren për të luftuar imigracionin e jashtëligjshëm. Lejet e reja do të zëvendësojnë lejet e deritashme, të cilat janë ngjitur në pasaportë dhe për momentin janë vetëm për vizitorët afatgjatë që qëndrojnë më shumë se gjashtë muaj në Britani, si dhe studentëve apo të tjerëve në raste martese apo partneriteti. "Këto leje të njoftimit do të lëshohen vetëm në Britani të Madhe. Për vizitorët që do të qëndrojnë për një afat më të shkurtër se sa gjashtë muaj në Britani, nuk do të vlejë ky rregull i ri", - thotë Clair Van de Capelle, nga ambasada britanike në Shkup. "Çdo personi jashtë EEA-së që viziton Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë më të gjatë kohore se gjashtë muaj, do t'i lëshohet një leje identifikimi me fotografi, shenjat e gishtërinjve si dhe kohëzgjatja e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar". Për vizitorët që do të qëndrojnë për një afat më të shkurtër sesa gjashtë muaj në Britani, nuk do të vlejë ky rregull i ri. Të gjithë ata që duan të vizitojnë Britaninë, duhet që të aplikojnë për vizë sipas procedurave ekzistuese në ambasadën britanike në Shkup. Autoritetet britanike shpresojnë se me lejet e reja të njoftimit do të ndihmojnë në mbrojtjen kundër falsifikimit të identitetit, punës ilegale, zvogëlimit të përdorimit të identiteteve të ndryshme, në pengimin e krimit të organizuar, terrorizmit etj.
BBC