E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS lokomotiva, LSI vagon

PS do të jetë gjithmonë e para e partive të majta. Ky është një ndër mesazhet e shumta që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, lëshoi për ish-aleatin e tij, Ilir Metën. Duke konsideruar se e gjithë politika praktikisht është futur në fushatën zgjedhore, Rama bëri një ofertë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku e fton të bashkohet me PS-në, por drejtimi i gjithë së majtës mbetet gjithmonë nën hijen e saj. Mesazhi ishte i qartë, ai që Rama i lë vendimin e bashkimit Ilir Metës, duke u treguar njëkohësisht indiferent ndaj vendimit të Metës. “Partia Socialiste është lokomotiva e politikës shqiptare dhe shikon përpara. Kush vjen prapa nesh është i mirëpritur, por njëkohësisht nuk është një arsye që ne të humbasim vëmendjen dhe kohën”, - deklaroi kreu i Partisë Socialiste. Madje, ai është munduar të bëjë dallimin mes partisë që drejton dhe partive të tjera, por që indirekt ishin shigjeta për LSI-në. Rama nënvizoi se ai është për politikën e re, ndërsa PS është pasuri shtetërore, përkundrejt disa të tjerave që janë pronë private.

“Është koha e një politike të re të ndarjes nga kjo politikë e vjetër shterpë, akuzash dhe kundër akuzash, shpifjesh e kundër shpifjesh, sharjesh e kundërsharjes dhe vendosjes së halleve të njeriut në qendër të politikës. Në këtë aspekt ne ndahemi me shumë të tjerë dhe jemi të keqardhur për këtë fakt, për arsyen e thjeshtë se Partia Socialiste është pasuri politike e popullit shqiptar, ndërkohë që plot parti të tjera janë prona private”, - shtoi më tej kryesocialisti.

Por i ndodhur nën sulmet e partive të majta për qëndrimet opozitare kundrejt mazhorancës, por edhe nga kritika mediatike e analistëve të ndryshëm, Rama shpjegoi këndvështrimin personal të mënyrës së të bërit opozitë. Ai i është rikthyer sërish shpjegimeve për politikë e re dhe politikë të vjetër, pjesë të të cilit vazhdon ende të konsiderojë edhe LSI-në e Ilir Metës. “Nuk është asgjë për njerëzit një opozitë, e cila ngre zërin, rrudh vetullat, shtrëngon nofullat dhe hidhet në sulm duke shkelur çdo kufi etik dhe moral, duke mos ia përtuar akuzave më të rënda, shpifjeve më të turpshme dhe fyerjeve më të padenja. Kjo është fatkeqësi për një vend, nuk është një opozitë që i duhet vendit”, - tha ai duke shtuar se “opozita që i duhet vendit është opozita që bëjmë ne, Partia Socialiste, të vendosur në rrugën tonë për të ndryshuar politikën”. Kryesocialisti theksoi se nuk do të bëjë opozitën që ka bërë dje Partia Demokratike, ndërsa nënvizoi se ka edhe forca të së majtës që janë sot në opozitë, që po bëjnë po të njëjtën opozitë. “Duhet të mësohemi me faktin që misioni dhe funksioni i opozitës është ky, ky në Partinë Socialiste sot dhe jo ai i djeshmi i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës kur ishin në opozitë apo i të tjerave forcave, individëve, që sot janë në opozitë”, - shtoi kreu i socialistëve. I gjithë komunikimi i djeshëm i Ramës iu referua krejtësisht kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha, pa lënë pas edhe LSI-në e Ilir Metës. Praktikisht të dyja forcat kanë filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e 2009-s, por mundësia e bashkimit duket shumë e largët.

Rama: S’kam votat për të larguan Berishën, mbeten vetëm zgjedhjet

Pavarësisht se prej pak ditësh kreu i Partisë Socialiste po kërkon dorëheqjen, pranoi dje se e ka të pamundur për t’ia arritur qëllimit, ndaj iu rikthye sërish idesë se e vetmja mundësi që i mbetet për t’ia arritur qëllimit janë përballja në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s. “Në demokraci kërkesa për dorëheqje për një Kryeministër që gjendet sot në këtë pozitë kaq të rëndë dhe kaq të papranueshme në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët, është një kërkesë që buron nga sensi etik, është një kërkesë që buron nga sensi moral e praktik, për të mos lejuar që kostoja të rritet dita-ditës, por sigurisht që nga pikëpamja e realizimit institucional të një lëvizjeje, kërkohen mekanizmat demokratike të votës dhe mekanizimi demokratik i sigurt për ta analizuar këtë është vota e shqiptarëve e shqiptareve”, - tha Rama. Më tej, ai nënvizoi se PS duhet të vazhdojë në rrugën e saj “dhe në këtë rrugë nuk na falet dhe nuk na lejohet të hyjmë në zigzaget që thjesht dhe vetëm do të ishin shkëputje e vëmendjes së njerëzve nga problemet e rënda dhe nga shfokusimi i figurës që mishëron në tërë përgjegjësinë për këtë gjë, që është Sali Berisha, Kryeministri i Shqipërisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›