E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamundësia e mocionit, Meta:Edi Rama i dha pushtet Berishës

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në konferencën e radhës të Lëvizjes Rinore për Integrim në Dibër. Gjatë këtij takimi, Meta kërkoi largimin e Kryeministrit Berisha, por njëkohësisht akuzoi Ramën që me votën pro ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, e forcoi më tepër atë. "Kjo është një kastë që për fat të keq, në 21 prill u fuqizua, edhe nga pikëpamja institucionale, edhe me ndihmën e Edi Ramës dhe deputetëve të PS-së, duke dhunuar parimin e shenjtë dhe themelor të Kushtetutës të miratuar nga 1 milion shqiptarë në 1998-ën, atë të ndarjes se balancave institucionale midis pushteteve të ndryshme”, - tha ai. Duke vazhduar më tej, Meta nënvizoi se kjo është Shqipëria e Sali Berishës që nuk do t’ia dijë për vullnetin e popullit shqiptar dhe të qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë shprehur për Republikë Parlamentare, ku të jenë ata që kontrollojnë Parlamentin dhe qeverinë e tyre, dhe jo të mbeten peng të një Kryeministri të papërgjegjshëm, sikurse ka ndodhur pas 21 prillit. Meta u ndal gjerë e gjatë tek pasojat e para që sollën këto ndryshime kushtetuese. “Janë këto ndryshime, - tha Meta, - që e bëjnë Sali Berishën që jo vetëm të mbrohet nga drejtësia, por edhe të marrë revansh kundër drejtësisë, kundër pavarësisë së gjykatave, kundër pavarësisë së prokurorisë dhe kundër qëndrimeve të përfaqësueseve të opozitës. Janë këto ndryshime që Sali Berisha u krekoset deputetëve dhe madje, t'i lutet opozitës për t'i bërë mocion mosbesimi, sepse më ndryshimet e bëra në Kushtetutë, tashmë nuk duhen 71 vota për të hequr Sali Berishën, por duhen edhe 71 vota më parë për të vendosur një tjetër në vend të tij”, - deklaroi Meta, duke shtuar se "është kjo kastë që nuk do t’ia dijë fare që shumë fëmijë të Dibrës nuk kanë mundësi që të arsimohen, është kjo kastë që nuk do t’ia dijë edhe për prindërit e këtyre fëmijëve që nuk kanë mundësi të paguajnë as tekstet shkollore të fëmijëve, dhe jo më bursat apo t’i mbështesin financiarisht për studimet e larta".

PS’91, vijon konstituimi i degëve

Përveç konstituimit të strukturës drejtuese të PS’91 në rrethet Durrës dhe Krujë, këto ditë janë zhvilluar mbledhjet organizatore të njësive nr. 3 dhe 4 në Bashkinë e Tiranës. Socialistët e këtyre njësive, krahas themelimit të strukturës organizative, kanë zgjedhur drejtuesit kryesorë të partisë. Njësia nr. 3 që numëron rreth 45 mijë banorë kryeqytetas, Rudina Haxhillarin për kryetare dhe Indrit Brucin për sekretar organizativ. Ndërsa socialistët e njësisë 4, që numëron rreth 60 mijë banorë, zgjodhën përkatësisht Kujtim Musin për kryetar dhe Selman Pajën për sekretar organizativ. Në të dyja mbledhjet kryetari i PS’91, Petro Koçi, kërkoi angazhimin politik, shpirtëror dhe fizik të socialistëve për të shpëtuar të majtën nga kapja e kryeministrit. “Partia Socialiste ‘91 është instrument elektoral për fitoren e së majtës në qershor 2009. Ne do t’i prishim planet e Ramës dhe Berishës për t’i lënë socialistët në opozitë. Pa ne, e majta humbet; me ne, e majta fiton. E ftoj Ramën t'i bashkohet vendosmërisë sonë për ta rrëzuar Saliun para zgjedhjeve dhe të heqë dorë nga bashkëpunimi për të ndarë me të sheshet e ndërtimit”, - tha Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›