E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehi: Vota e emigrantëve, rreziqet për ndikimin e shtetit grek

Dashamir Shehi, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, si dhe ish-zv.kryeministër, u shpreh dyshues për realizimin e votimeve në ato shtete ku jetojnë emigrantët shqiptarë e sidomos në Greqi. Për të, problem janë kushtet teknike të realizimit të procesit, ndërsa nga ana tjetër, nuk mohohet ndikimi i politikës greke, referuar këtu rastit të Himarës. Kreu i LZHK-së vuri në dukje se jetojnë nga 100 deri në 150 mijë shqiptarë, të cilët kanë qenë të detyruar të ndërrojnë emrin. Për shkak të përqindjes që zënë, ata mund të jenë përcaktues të fateve politike në Shqipëri, përfshirë këtu faktin që vota e tyre mund të ndikohet dhe përcaktimi i drejtuesve të shtetit bëhet nën vëzhgimin e shtetit fqinj. "Ky është një komunitet që për hir të mungesës së shtetit të vet është detyruar të ndërrojë emrin, kështu që nuk e ka problem as të ndërrojë votën. Janë rreth 100-150 mijë votues që përbëjnë 10-15 për qind të zgjedhësve dhe vota e tyre mund të jetë përcaktuese për fatin e politikës në Shqipëri. Vota e tyre mund të jetë e ndikuar dhe kështu mund të përcaktohet lidershipi politik nën mbikëqyrjen e fqinjëve, ndaj mendoj se kjo është premature dhe me rrezik për demokracinë", - u shpreh Shehi.

Në lidhje me çështjet teknike, Shehi vuri në dukje se është e pamundur, kjo, sepse së pari, vendi ynë ka probleme me administrimin e zgjedhjeve brenda territorit të tij, probleme që bëhen edhe më të mëdha në një territor të huaj. “Ne nuk kemi ende një shtet për të organizuar zgjedhjet jashtë kufijve. Ne ende kemi probleme me organizimin e votimeve brenda territorit”, - tha Shehi.

Pas shumë vitesh, për herë të parë në vendin tonë po flitet për një hap serioz në përfshirjen e emigrantëve në të drejtën e votimit. Konkretisht, ka dy nisma ligjore të cilat janë dorëzuar tashmë në Lomisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe, edhe pse janë zhvilluar seanca dëgjimore me propozuesit e tyre, komisioni nuk e ka dhënë ende fjalën e fundit. Dy nismat, ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe ajo e G99-ës, në bazë janë të njëjta dhe kanë ndryshime të vogla. Të dyja nismat propozojnë votim me postë nga ana e emigrantëve në vendet ku ata ndodhen, me kujdes të vetë shtetit shqiptar. Por përveç të gjitha problemeve teknike, ajo ka dhe një kosto financiare të madhe. Propozuesit e këtyre dy nismave kërkojnë që modeli i zgjedhur për të votuar emigrantët të garantojë pjesëmarrje sa më të madhe të shtetasve shqiptarë jashtë atdheut në votime, një përfaqësim sa më të drejtë demokratik të shtetasve shqiptarë jashtë atdheut; të jetë sa më i lehtë për t’u zbatuar, të realizohet me kosto sa më të ulët të mundshme, pa sakrifikuar parimet e tjera, si dhe duhet të garantojë sigurinë e votës së jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›