E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, 3 elementet e negociatave PD-PS

Negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për çështjen e kartave të identitetit duket se po i afrohen fundit. Burimet partiake thanë dje për "Shqip" se deri në orët e pasdites është diskutuar në nivel ekspertësh mes dy forcave kryesore politike. Po sipas këtyre burimeve janë bërë të qarta tri çështjet mbi të cilat është zhvilluar pjesa më e madhe e debatit. Nuk mohohet mundësia që brenda ditës së sotme të mund të konkretizohet kjo marrëveshje mirëkuptimi që i jep fund krizës së procesit të pajisjes së shtetasve me karta. Ndërkohë, edhe shumë pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Diskutimet

Çështja e parë e cila mësohet të ketë qenë objekt i diskutimeve ka të bëjë me vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 336. Sipas tij krijohen lehtësi për disa shtresa popullsie mes të cilave janë pensionistët, studentët, popullsia që merr asistencë sociale dhe kategori të tjera në nevojë. Ajo çka mësohet të jetë diskutuar mes ekspertëve është forma e zbatimit të këtij vendimi në transparencë sa më të plotë. Synimi kryesor i palëve ka qenë krijimi i një terreni ku çdo ecuri e procesit të jetë transparente. Gjithashtu, janë biseduar format se si aplikimi të mund të kryhet sa më lehtësisht pa pasur nevojë për sorollatje të qytetarëve. Në këto pika mësohet të ketë mëshuar fort opozita, e cila ka konstatuar vështirësi të shumta në zbatimin e vendimit të qeverisë. Palët kanë gjetur mirëkuptim për çështjen e kostos së kartës së identitetit për këtë kategori që përfiton nga vendimi i qeverisë. Çështja e dytë që është debatuar ka të bëjë me pjesën tjetër të qytetarëve që bëjnë pjesë në 729 mijë shtetasit pa pasaporta, por që nuk përfitojnë nga subvencionimi. Për këtë pjesë mësohet të jetë arritur konsensusi që karta të mund të kushtojë vetëm 200 lekë të reja. Edhe në këtë pikë vlen të theksohet insistimi i opozitës për të pasur një transparencë sa më të gjerë. Çështja e tretë që has më tepër në diskutimet midis ekspertëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ka të bëjë me kategorinë e shtetasve që nuk kanë pasaporta, por që nuk janë të evidentuar në shifrat zyrtare prej 729 mijë personash. Kjo është një nga pikat, ku dy partitë kryesore kanë hasur në vështirësi komunikimi për shkak se ndajnë pikëpamje të ndryshme. Partia Socialiste ashtu siç tashmë e ka deklaruar, pretendon se numri real i personave që nuk janë të pajisur me pasaporta, por që në 28 qershor mbushin moshën e votimit shkon në rreth 900 mijë.

Konkretizimi

Burimet partiake thanë për "Shqip" se shumë shpejt pritet të konkretizohet marrëveshja për kartat e identitetit, duke i hapur rrugën procesit të aplikimeve. Pavarësisht disa pikave të vogla ku ende nuk është konkretizuar marrëveshja, në çështjet kyçe është gjetur mirëkuptimi midis faktorëve politikë. Sapo të mund të arrihet pakti mes partive do të përqendrohet puna për afrimin e qytetarëve drejt zyrave të aplikimit me qëllim pajisjen e tyre të plotë me letërnjoftimet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›