Listat, Rama fillon takimet me kandidatët
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nisi dje takimet me kandidatët e mundshëm për deputetë. Burime nga selia rozë konfirmuan se kryetari socialist është duke zhvilluar takime, duke marrë mendime e duke "testuar" kandidatët e mundshëm, edhe pse nuk është marrë ende asnjë vendim zyrtar. Pas një procesi ku janë mbledhur të dhëna, janë evidentuar njerëz që mund të përmbushin kriteret e PS për të qenë pjesë e ekipit garues, kreu i PS ka vendosur të kalojë në "sitë" të gjithë emrat, të cilët mund të rezultojnë të jenë kandidatë për deputetë. Ndërkaq, kryesocialisti pati dje një ditë intensive me takime me krerët e strukturave në rrethe ku mori të dhëna për ecurinë e procesit të kartave dhe dha udhëzime për ecurinë e mëtejshme. Burime nga këto takime bënë të ditur se strukturat e PS në të gjitha qarqet duhet të vijojnë me evidentimin e personave që nuk janë pajisur me kartë identiteti, shoqëruar kjo me një sensibilizim që duhet ta kryejnë këtë proces. Ndërkaq, pjesë e bisedimeve në këto takime ishin listat zgjedhore. Sot përfundon afati i ankimimeve dhe pas kësaj njësitë vendore duhet të bëjnë korrigjimet në mënyrë që në datën 28 maj të shpallin listat përfundimtare. Fokusi i socialistëve mbeten kartat e identitetit dhe për këtë ata janë angazhuar edhe me sensibilizimin e bazës dhe gjithë votuesve për të marrë kartën. Disa ditë më parë, deputetët e Partisë Socialiste u shpërndanë në zonat e tyre elektorale për të bindur votuesit për të aplikuar për të marrë dokumentin që do t‘i lejojë të votojnë.