E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kartat”, Balla në Librazhd: Të hiqet taksa e votës

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla gjatë një takimi zhvilluar me disa nga familjet e varfëra në rrethin e Librazhdit duke u njohur me vështirësitë ekonomike të tyre ka kërkuar edhe një herë heqjen e taksës së votës. 

LIBRAZHD- Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ishte sot në rrethinat e qytetit të Librazhdit, ku ka biseduar me disa familje për pamundësitë e tyre ekonomike për tu pajisur me kartat e identitetit. Banorët e Librazhdit i kanë pohuar Ballës vështirësitë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës dhe se jetojnë në skamje, pamundësi ekonomike dhe varfëri.
Një ndër banorët e kësaj zone shprehet, “nuk po më pëlqen mënyra se si po kërkohet vota në Shqipëri, vota nuk blehet ndaj edhe kartat duhet të jepen falas”- shprehet banori.
Një tjetër banorë shton “duam të votojmë, por jo me para. Kemi kaq vite qe votojmë, por votën me para po e shikojmë vetëm në vitin 2009”
Deputeti i Librazhdit Balla bëri apel për heqjen e taksës së votës duke u shprehur se është fatkeqësi që qeveria u kërkon këtyre njerëzve të paguajnë për të votuar.
“Është fatkeqësi që kjo qeveri po bën politikë me të drejtën e njerëzve për të votuar. Qeveria duhet të heqi dorë nga kjo taskë e votës pasi të gjithë këta njerëz që jetojnë në varfëri e kanë të pamundur të paguajnë kartën e identitetit, e kanë të pamundur të mbyllin 15 ditëshin nga të ardhurat që sigurojnë nga pensioni, kur pensioni për të gjithë këta banorë nuk i kalon 50 mijë lekë të vjetra”- u shpreh deputeti i PS-së Balla. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›