E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Berisha rrëzon kërkesat e PS

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha hedh poshtë për të dytën herë propozimin e opozitës për të dhënë kartat e identitetit falas për ata qytetarë që nuk kanë pasaportë. Duke folur në një konferencë për shtyp në përfundim të vizitës disa ditore në Kinë, kreu i qeverisë garantoi se të gjithë qytetarët që nuk kanë kartë do të mund ta marrin atë. “Për kartat e Identitetit, dua t’ju garantoj se 700 mijë shqiptarë, të cilët nuk kanë pasaporta, pra që të gjithë do të marrin karta pa asnjë lloj vështirësie dhe pengese. Për ata që kanë pasaporta, ka qenë vetë opozita që ka kërkuar të përjashtohen nga procesi i marrjes së kartave deri në zgjedhjet që vijnë. Pra, është shumë evidente kjo gjë”, u shpreh Berisha. Sipas tij një pjesë shumë e madhe e tyre e marrin kartën për 200 lekë, çka hedh poshtë sipas tij pretendimet e opozitës se disa kategori nuk kanë mundësi financiare ta paguajnë. “Nëse Rama e ka hallin tek Karta e Identitetit, apo tek votat, apo kartat i duken vota, kjo është puna e tij. Unë kam detyrimin që të krijoj kushte dhe të garantoj çdo zgjedhës pa pasaportë që të marrë kartën pa asnjë vështirësi, ashtu siç bëmë. Kategoritë e përmendura do e marrin falas dhe e deklarova gjithashtu që rreth 700 mijë aplikantë të tjerë do ta marrin këtë kartë me 2 mijë lekë”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Çështja e kartave të identitetit ishte temë kryesore edhe në mbledhjen e qeverisë, ku Kryeministri Berisha u shpreh se procesi i pajisjes me këtë dokument është duke ecur shumë mirë dhe deri tani janë rreth 600 mijë qytetarë që kanë aplikuar. Në konferencën e djeshme për shtyp Berisha hodhi poshtë të gjitha mundësitë që në Shkodër të ndërtohet central bërthamor, duke akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama se ka sajuar këtë lajm. “Para 10 ditësh Rama porosit një gazetë kroate për të botuar një trillim fund e krye dhe tani drejton fushën mbi trillimin e shkruar në një gazetë kroate, të cilën e përgënjeshtroi edhe qeveria kroate. Cili kryetar opozite është ai që krijon trillime dhe i paraqet ato si alternativa dhe shkon në Shkodër dhe thotë nuk do të lejojmë ndërtimin e kujt, të hiçit? Nuk mund të them gjë tjetër për të veçse fale Zot për ato që bën, sepse kjo është gjëja më e pakonceptueshmja. Boton në gazetën kroate artikullin dhe shkoi në Shkodër dhe tha se nuk do të lejojmë të ndërtohet central”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›