E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, Kreu i PS-së takim me koordinatorët e njësive

Autori i Lajmit: Suela Topi
Letërnjoftimet

Pajisja e të gjithë shqiptarëve me karta identiteti është kthyer në një prioritet të punës së strukturave socialiste. Informimi i saktë për të gjitha problemet në bazë, sa persona janë pa aplikuar dhe për më tepër sa prej tyre janë mbështetës së PS-së është diskutuar gjerësisht në një mbledhje që kryetari i socialistëve, Edi Rama ka zhvilluar me koordinatorët e njësive vendore. Kreu i selisë rozë u ka kërkuar atyre informacion sa më të saktë dhe të detajuar për këtë çështje. Ndërkohë dje anëtari i Asamblesë së PS-së, Sajmir Tahiri u bëri thirrje shqiptarëve të aplikojnë për karta identiteti. Në mënyrë zyrtare ai përsëriti për të dytën herë, se qeveria që do të vijë në pushtet pas 28 qershorit do të rimbursojë kartat e identitetit duke e konsideruar çmimin e ri prej 200 lekësh përsëri si një taksë të votës. Tahiri theksoi se 5 ditë pas vendimit të Qeverisë për uljen e tarifës së kupave për aplikim për kartë identitete, vazhdon kaosi në zyrat e postës çka ka ngadalësuar dhe ritmin e aplikimeve.
Kartat
Takimi me koordinatorët e njësive vendore ka ringritur si shqetësim kryesor ritmet e ulëta të aplikimit të qytetarëve pa pasaportë për një kartë identiteti. Gjatë diskutimit me ta mbrëmjen e së hënës, Rama ka dhënë udhëzimet përkatëse për evidentimin më të mirë të çdo informacioni për aplikimin e shqiptarëve për karta identiteti. Pas këtij takimi por dhe pas përplasjes mes Ministrisë së Financave dhe zyrave të postës për çmimin e kupave, PS ka mbajtur dhe një qëndrim zyrtar. Anëtari i Asamblesë së PS-së, Saimir Tahiri pohoi dje se ngelen dhe 54 ditë nga dita e ndryshimit. Fatkeqësisht, sipas tij ritmi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike vazhdon të jetë i ngadaltë, larg ritmit të nevojshëm për të pajisur çdo votues shqiptar me letërnjoftim elektronik brenda 28 qershorit. “Jo vetëm kaq, por edhe sot, më shumë se 5 ditë pas shpalljes së vendimit të qeverisë për ta ndryshuar taksën e votës nga 1200 lekë në 200 lekë, kaosi mbizotëron në zyrat e postës ku shiten kuponat e nevojshme për të aplikuar për letërnjoftimet elektronike”, - tha ai. Duke parë këtë situatë, ai në emër të PS-së, u bëri thirrje të gjithë votuesve shqiptarë të cilët nuk zotërojnë një pasaportë, për të aplikuar një orë e më parë për letërnjoftimin elektronik. “Është tejet e rëndësishme që çdo votues, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, të ketë mundësinë për të votuar në 28 Qershor. Edhe pse vendimi i fundit i qeverisë për ta ulur çmimin nga 1200 lekë në 200 lekë mban ende në fuqi taksën e votës, ne i ftojmë shqiptarët të aplikojnë dhe të ruajnë faturën, pasi qeveria e re me Edi Ramën kryeministër do të rimbursojë për çdo shqiptar këtë taksë të politikës së vjetër, përmes të cilës Sali Berisha kërkon të mbajë larg kutive të votimit mijëra studentë, pensionistë, të varfër e të papunë”, - përfundoi Tahiri.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›