E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, pyeten fierakët e arrestuar me drogë

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Grupi i hetimit, për të ngritur një pistë edhe më të qartë për vrasjen e deputetit, e ka shtrirë hetimin edhe në shumë drejtime të tjera. Në morinë e personave të marrë në pyetje janë edhe të arrestuarit për trafik ndërkombëtar droge, të cilët u kapën vetëm pak orë se të ekzekutohej 49-vjeçari, deputeti i PS-së, Fatmir Xhindi. Për këtë arsye, burime të besueshme pranë grupit hetimor kanë marrë në pyetje dy të arrestuarit, fierakët që u kapën së bashku me tre gjermanët me 40 kg heroinë. Ende nuk dihet nëse kjo seancë pyetjesh ka dhënë rezultate apo jo në zbardhjen e krimit të vrasjes, por dyshimi se Xhindi mund të kishte një lidhje me arrestimin e fierakëve, bëri që hetuesit të mos neglizhojnë. Kjo ka ndodhur edhe se deputeti ka lidhje farefisnore me një prej të arrestuarve. Jo vetëm profesionistët e hetimit, por edhe në opinion apo gjatë varrimit të deputetit të PS-së, u fol për një hakmarrje të mundshme të mafies së drogës. Dhe pse këto janë dyshime dhe jo detaje si rezultat i ndonjë prove, dyshohet që Xhindi të ketë qenë në dijeni të trafikut të drogës së grupit të fierakëve. Megjithatë, një zyrtar i Policisë së Shtetit mendon se nuk ka prova që tregojnë këtë lidhje dhe aq më pak një hakmarrje të tillë.
Konflikti
Hetimet për këtë pistë kanë nisur pasi janë siguruar dëshmi, që kanë treguar se ka pasur një konflikt mes disa mbështetësve të Partisë Demokratike me një prej të arrestuarve nga policia për trafik droge. Pas incidentit, personat e përfshirë në konflikt janë arrestuar në Kakavijë me një ngarkesë prej 40 kg lënde narkotike. Ngjarjet e ardhura zinxhir njëra pas tjetrës kanë bërë që të mos e shmangin këtë pistë, por të kryejnë hetimet e nevojshme, edhe pse deri tani nuk ka ndonjë provë konkrete nga kjo pistë. Të arrestuarit për trafik droge priteshin që të dilnin për masë sigurie dje, por ende nuk dihen arsyet pse u është shtyrë edhe për 24 orë dhënia e masës së sigurisë. Për fierakët dhe gjermanët e akuzuar për trafik droge, sipas burimeve, pritet që të jepet sot masa e sigurisë.
Pistat e tjera
Ekspertët e kriminalistikës e kanë shtrirë hetimin edhe në ngjarjet e vjetra që kanë ndodhur në zonën e Roskovecit. Sipas të dhënave, grupi i hetimit po shqyrton edhe një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1996, kur një komisioner i PD është goditur për shkak të pozicionit që ka pasur në atë kohë. Por edhe në këtë pistë ende nuk bëhet e ditur nëse është siguruar ndonjë provë konkrete. Për shkak se incidenti i atëhershëm ka qenë për motive politike, grupi i hetimit ka vendosur që të mos e neglizhojë edhe këtë pistë, por të bëhen kërkime dhe të merren në pyetje edhe për çdo detaj më të vogël që ka qenë në brendësi emri i Fatmir Xhindit. Konflikti i pronësisë është pista që mbetet ende e hapur. Edhe pse familjarët mohojnë kategorikisht këtë pistë, grupi i hetimit mendon se hetimet duhet të vazhdojnë, përderisa personat e dyshuar nuk kanë pranuar asnjë gjë.

Dyshimi se Xhindi mund të kishte një lidhje me arrestimin e fierakëve, bëri që hetuesit të mos neglizhojnë

Një banor i Kurjanit mbahet i shoqëruar nga policia
Policia e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë e Antikrimit në Drejtorinë e Përgjithshme kanë shoqëruar një numër të madh personash, të cilët mendohen se kanë dijeni mbi ngjarjen. Por sipas burimeve pranë policisë, mbrëmjen e së hënës policia ka shoqëruar një person nga Kurjani, i cili është duke u mbajtur ende i shoqëruar në ambientet e paraburgimit. Policia ka pohuar se personi që mbahet ende i shoqëruar ka shumë gjasa që të jetë autori i ngjarjes pasi ka disa prova që e inkriminojnë atë. Por nga ana tjetër, kjo eufori e policisë duket se është zmbrapsur pak nga ana e Prokurorisë, e cila ende nuk ka prerë fletarresti për asnjë person. Sipas burimeve pranë grupit të hetimit, ende nuk janë siguruar prova bindëse për të bërë ballafaqimin e të dhënave të autorit me ato të të shoqëruarit. Sipas po të njëjtave burime, mësohet se një nga pengesat e zbardhjes është edhe mosgjetja e armës së krimit që do të përbënte një provë tepër të rëndësishme për vijimin e hetimeve. Të ndodhur përballë këtyre problemeve, grupi i hetimit ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për autorin duke qëndruar gjithmonë në kuadrin e personave të shoqëruar dhe nuk ka prerë fletarresti për asnjë shtetas.
Shoqërimet
Përveç një banori të fshatit Kurjan që prej 24 orësh ndodhet i izoluar në Komisariatin e Roskovecit, policia ka bërë shoqërimin edhe të shumë personave të tjerë, të cilët dyshohen se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen. Por pas marrjes në pyetje këta persona janë lënë sërish të lirë, deri në verifikimin e provave që do të grumbullohen. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se për të bërë kompletimin me prova dhe zbardhjen e ngjarjes duhet akoma një punë e madhe, por edhe provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes janë tepër të rëndësishme. Në vendin e ngjarjes policia ka bërë sekuestrimin e të gjitha provave të mundshme. Eshtë bërë këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishëve të predhave, sekuestrimi i një pakoje aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qese plasmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe nga vendi i ngjarjes.

Itinerari i Fatmir Xhindit para vrasjes
Hetuesit kanë ndërtuar një itinerar të lëvizjeve të deputetit pak orë para se ai të vritej. Sipas tyre, rreth orës 16:00 të ditës së shtunë, deputeti Fatmir Xhindi është nisur nga qyteza e vogël e Roskovecit dhe ka shkuar në pronën e tij, në fshatin Kurjan. Pasi ka ndërruar rrobat, ka nisur të punojë tokën. Në orën 20:00, Xhindi ka mbaruar punë dhe është ulur për të pirë një kafe në një nga lokalet e zonës në pronësi të Bujar Kukës, ku dhe ka biseduar për pak kohë më klientët e ndryshëm. Pronari i lokalit tha se rreth orës 20:45, pasi Xhindi ka mbaruar kafenë, ka hipur në makinën e tij për të shkuar në drejtim të shtëpisë. Në orën 20:55, pas rreth 10 minutash rrugë, ai u gjend përpara shtëpisë dhe, pasi ka zbritur nga makina, ka hapur derën e përparme për ta futur brenda, moment i cili është shfrytëzuar nga vrasësi për të nisur të shtënat me breshëri. Ora 21:00, pasi familjarët dëgjojnë zhurmën dalin në oborrin e shtëpisë ku gjejnë Xhindin e përgjakur. Ata e nisin menjëherë me një mjet tjetër drejt spitalit të Fierit, i cili ka mbërritur në orën 21:30, por pa mundur të shpëtonte jeta e deputetit të tri legjislaturave.

Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›