E Shtunë, 31 Tetor 2026

“LSI programin më të qartë për punësimin dhe bujqësinë”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me banorët e Petrelës, ku bëri të qartë se programi që ka LSI është programi më i besueshëm për punësimin dhe për bujqësinë. I shoqëruar nga sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, Edmond Panariti, zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e zonës, ku u theksua fakti se zona e Petrelës paralelisht me aktivitetin prodhues mundëson edhe aktivitete të tjera, të cilat mund të jenë aktivitete zbavitëse, që janë brenda pronës, fermës dhe që në një farë mënyre kontribuojnë në shtimin e të ardhurave në rritjen e cilësisë dhe në rritjen e standardeve të jetesës. Duke marrë fjalën në mes të entuziazmit të qindra të pranishmëve, Meta garantoi se LSI ka programin më të qartë për punësimin dhe për bujqësinë. Sepse punësimi është shqetësimi kryesor këtu në Shqipëri, u shpreh ai, duke shtuar se lajmet flasin çdo ditë për fabrika të bizneseve të fasonëve që prodhojnë veshje, këpucë, çanta etj, që mbyllen dhe mijëra vetë mbesin pa punë. “Ne kemi disa muaj që i themi Qeverisë sill në Parlament një plan për krizën, si do të ndihmohet biznesi, që t jua lehtësojmë kreditë. Sepse është situatë e vështirë për popullin, për biznesin dhe për të gjithë. Por, paradoksalisht Berisha thotë që Shqipëria dhe Kina janë vendet më të zhvilluara në botë, ndërsa vendi vazhdon të jetë në krizë”, - tha ai. Kreu i LSI-së shtoi se prej disa javësh ai dhe përfaqësues të partisë së tij kanë vizituar nga afër disa fabrika të fasonëve dhe kanë konstatuar problemet e tyre prandaj kanë kërkuar që shteti, t u krijojë lehtësira, sepse janë 100 mijë shqiptarë të punësuar dhe 90 për qind janë gra dhe vajza që punojnë atje. Meta renditi më tej dhe masat që do të marrë LSI për të zgjidhur problemin e punësimit. “Ne e kemi bërë të qartë se prioriteti ynë është punësimi, punësimi, punësimi. Dhe për të realizuar këtë gjë do të marrim disa masa. Për bizneset e reja kemi thënë që për tre vjet nuk do të paguajnë asnjë tatim-fitim, vetëm që të hapin vende pune. Së dyti, për çdo vend pune të ri që hap një biznes ekzistues ne do të bëjmë një zbritje nga tatimet çdo muaj deri në 50 mijë lekë të vjetra, sepse i gjithë qëllimi është si të shtohen vende pune përderisa problemi kryesor është papunësia”, - tha Meta. Po ashtu pohoi ai, ka masa konkrete dhe për nxjerrjen e bujqësisë nga kriza duke vlerësuar koston e prodhimit, duke orientuar prodhimin që të grumbullohet më thjeshtë, duke krijuar industrinë përpunuese në mënyrë që të ketë ku ta dërgojë prodhimin por dhe duke krijuar lehtësi për marrjen e kredive. “Shteti duhet të vendosë një fond garancie për bankat në mënyrë që ato të marrin guximin që të japin kredi për zhvillimin e bujqësisë dhe të fermave të ndryshme apo të bizneseve të ndryshme në bujqësi apo në agro-përpunim”, - tha ai.

Kreu i LSI-së: “Pas 28 qershorit aparate moderne për spitalet”

Lëvizja Socialiste për Integrim premton shërbim më të mirë shëndetësor dhe teknologji moderne. Kreu i LSI-së, Ilir Meta i shoqëruar dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili dhe nga kandidatët për deputetë në Durrës, Lefter Koka dhe Artur Zheji zhvilloi dje një vizitë në Spitalin rajonal të Durrësit. Ky spital është ndërtuar para 8 vitesh, kur Kryeministër ishte Meta dhe është i dyti për nga rëndësia në Shqipëri, pas Qendrës Spitalore në Tiranë. Duke pohuar se ka ende shumë kërkesa për të ofruar shërbimet e nevojshme dhe të shpejta në këtë spital modern, Meta shprehu angazhimin e LSI-së që spitali i Durrësit të pajiset me aparatura moderne te domosdoshme, siç është skaneri, i cili mungon apo rezonanca magnetike. Të vjen keq, u shpreh Meta, që edhe pas 8 vitesh të gjitha spitalet shtetërore në vend kanë vetëm një rezonancë magnetike. Kreu i LSI-së theksoi se pas fitores në 28 Qershor, programi qeverisës i LSI do t i kushtojë shëndetësisë një vëmendje prioritare, sidomos në teknologjinë e saj, të cilat janë tepër të domosdoshme për mjekimin e të sëmurëve në vendin tonë dhe jo duke ikur në spitale jashtë, gjë që është mjaft e vështirë për nivelin e të ardhurave të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›