E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonatat në polici shtojnë pistat e hetimit

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Uniformat blu dhe agjentë civilë mbajnë në “shtetrrethim”, Roskovecin dhe fshatrat përreth. Policia, kontrolle makinave, çdo 2 kilometra

Detaje dhe të dhëna në lidhje me pista të mundshme, kontakte dhe konflikte të mundshme të deputetit Fatmir Xhindi me persona të tretë, mbërrijnë në telefonin e vënë në dispozicion nga policia. Me gjithë fshehtësinë e plotë në të cilën po zhvillohen hetimet, burime të besueshme nga policia pohojnë se në numrin e telefonit janë regjistruar një numër rekord “informatorësh”. Për shkak të hetimeve nuk bëhen të ditura detaje dhe informacione konkrete, por mësohet se bëhet fjalë për pista të mundshme dhe jo për autorë të dyshuar. Për çdo detaj të mbërritur në polici, agjentët nisin verifikimet në terren për të vërtetuar çdo të dhënë e për ta përdorur më pas atë për të shkuar drejt autorit të dyshuar.
Grupi i hetimit
Zgjerohet grupi hetimor që po merret me hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi. Burime nga policia bëjnë të ditur se shërbimi sekret vendas apo SHISH është përfshirë në grupin e hetuesve, në të cilin janë edhe prokurorë të Krimeve të Rënda, Departamenti i Ushtrimit dhe Ndjekjes Penale, Departamenti i Krimeve të Hapura, Departamentit i Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe një armatë e tërë agjentësh civilë që prej katër ditësh ndodhen në fshatrat e Roskovecit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ky është grupi më i madh hetimor i ngritur ndonjëherë për të zbardhur ngjarjet kriminale, madje më i madh se grupi hetimor që u mor me tragjedinë e Gërdecit. Në të janë përfshire më se 100 specialistë, duke përjashtuar shërbimin e përforcuar të policisë edhe në pikat kufitare.
Hetimet
Zyrtarisht hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë të konsiderohen si tepër sekrete, pavarësisht se burimet shtojnë se për çdo informacion të raportuar ngrihen pistat e mundshme. Burimet shtojnë se po përpunohet çdo informacion që flet jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontakte të të ndjerit të disa ditëve më parë apo viteve më parë. Për hetuesit kjo konsiderohet si një ngjarje e vështirë për t u zbardhur, pavarësisht se që prej së shtunës po kalohet në sitë çdo e dhënë që përcillet nga agjentët në terren. Qyteza e Roskovecit, prej katër ditësh, ndodhet nën vëzhgimin e rreptë të qindra forcave të policisë. Përveç një grupi të posaçëm hetimi, të përbërë nga hetuesit më të mirë në vend dhe ekspertë të kriminalistikës, qindra efektivë policie mbajnë nën kontroll jo vetëm zonën e Roskovecit, por dhe të Fierit e zonave përreth. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të qytet që prej momentit të vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, të cilët kryejnë kontrolle e verifikime në një pjesë të konsiderueshme të mjeteve që qarkullojnë në këto akse rrugore.

Telefonatat
Kalimtarë të dyshimtë, biseda të dyshimta e konflikte të dyshimta që u kanë vrarë syrin personave që kanë takuar e kontaktuar Fatmir Xhindin gjatë kohëve të fundit, kanë ofruar dëshmitë e tyre për uniformat blu. Në dy numrat e telefonit të vënë në dispozicion nga policia për të mbledhur sa më shumë të dhëna kundrejt një shume të majme dhe ruajtes së anonimatit, kanë sjellë një lumë informacionesh për uniformat blu. Rreth 48 orë pas ngjarjes, policia ka administruar dhjetëra telefonata, informacionet e të cilave janë përpunuar nga grupi i hetimit dhe më pas kanë nisur verifikimet në terren. Shpërblimi prej 250 mijë eurosh për personin që do të jepte të dhëna të sakta në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, ka pasuar me vetëm një bum telefonatash në Policinë e Shtetit, por asnjë prej tyre nuk ka çuar të paktën në një të dyshuar për ekzekutimin. Burime nga policia bëjnë të ditur se persona të ndryshëm kanë telefonuar në numrat e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit duke dhënë detaje nga më të ndryshmet.

Vrasja e deputetit, asnjë shenjë e dyshimtë në kufi

Në Kapshticë e Qafë-Thanë kanë filluar kontrollet e të gjitha automjeteve për ndonjë shenjë të mundshme që mund të çojë tek autori i vërtetë i ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi.
Edhe pse kjo procedurë vijon prej ditës së ngjarjes, deri më tani nuk është konstatuar asnjë person i dyshimtë që të ketë kaluar kufirin. Vrasja në pragun e shtëpisë, mbrëmjen e së shtunës, e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, nga persona ende të paidentifikuar, që janë në ndjekje nga policia, ka bërë që në të gjitha akset nacionale të ngrihen postblloqe të shumta policie. Burime nga policia bëjnë të ditur se në Kapshticë e Qafë-Thanë kanë filluar kontrollet e të gjitha automjeteve që dalin nga vendi ynë për ndonjë gjurmë të mundshme që mund të çojë policinë tek vrasësi i vërtetë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në këto pika doganore, njëra që të lidh me Maqedoninë dhe tjetra me Greqinë, është vendosur edhe gjendje gatishmërie. Ndërkohë janë ngritur katër pista hetimi, të cilat zyrtarisht nuk bëhen të ditura për shkak të hetimeve komplekse dhe delikate. Burime konfidenciale kanë bërë të ditur se pistë parësore është ajo e një konflikti mbi pronësinë. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit nga persona që ende nuk njihen. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria ka ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të fushës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Gëzhojat, gati aktekspertimi

Gëzhojat e gjetura nga policia në vendin ku u vra deputeti Fatmir Xhindi, të dërguara në Laboratorin Kriminalistik, pritet që së shpejti të nxjerrin në dritë një sërë të dhënash. Burimet nga policia bëjnë të ditur se tashmë është drejt përfundimit analiza e gjithë të dhënave të gëzhojave, të cilat do të ndihmojnë policinë dhe grupin e hetimit të shkojë në gjurmët e autorit të dyshuar. Tashmë është verifikuar dhe përcaktuar kalibri dhe lloji i armës me të cilën u qëllua babai i tre djemve. Pas ekspertizës do të krahasohen nëse arma me të cilën u qëllua Xhindi, është përdoruar ose jo në vendngjarje të tjera të mëparshme. Kjo do të jetë një ndër pikat ku organi i akuzës dhe grupi hetimor duket se do të mbështet për të hedhur një pistë dyshimi, e cila mund të çojë deri në gjurmët e autorit të mundshëm. Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime: këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishëve të predhave, sekuestrimi i një pakoje aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qese plasmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Të gjitha këto prova janë vënë menjëherë në dispozicion të Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›