Emërimet në polici, drejtori firmos, vartësit i mbajnë shkresat në sirtar

Emërimet në Policinë e Shtetit janë zbardhur me vonesë tej afateve të përcaktuara në rregullore, edhe pse ato kanë marrë firmën e drejtorit të përgjithshëm. Kjo praktikë është bërë shqetësuese për drejtuesit që nuk dinë në ta quajnë këtë zvarritje burokratike apo veprim të qëllimshme, me synim përfitimin. Burime nga institucioni i uniformave blu thanë për gazetën “Shqip” se praktikat e firmosura nga autoriteti më i lartë policor dhe përcjellë te vartësit e tij më poshtë, në disa raste kanë kaluar afatet e zbardhjes. Ka ndodhur që emërimi i ri të njoftohet një javë pasi ai ka marrë dakordin zyrtar të titullarit. Në ambientet e selisë qendrore të Policisë së Shtetit flitej për vonesë të pajustifikuar të zbardhjes së vendimeve të marra nga autoriteti për caktimin nga një detyrë në tjetrën të punonjësve të policisë, por edhe në rastet e të rikthyerve në radhët e uniformave blu. Situata u bë shqetësuese, aq sa është tërhequr vëmendja për mosvonesa të kësaj natyre, duke kërkuar të mos ndodhin më në të ardhmen. Sipas drejtuesve justifikohen vonesat për zbardhjet vetëm në fundjavë dhe në ditët e pushimeve dhe janë të papranueshme zvarritja e tyre në përditshmërinë e punës. Rregulli përcakton se brenda ditës kur titullari ka firmosur praktikën për emërimin në detyrë të personave, sipas procedurës ata duhet të njoftohen për pozicionin në të cilin janë caktuar.
KonstatimiPo të mos kishte ankesa nga personat që janë emëruar në detyra nuk do të ishte kapur ky si fenomen. Burime të rezervuara thanë se konstatimi është bërë kur personat kanë parë datën kur eprori më i lartë i tyre kishte firmosur urdhrin për emërimin e tyre në detyra të tjera, më sipër apo dhe më poshtë, në përputhje me procedurën dhe kriteret për caktimin në detyrë. Nga ballafaqimet shkresore ka dalë se kishte diferencë të madhe kohore, deri në mbi një javë, nga momenti i firmosjes së praktikës e deri në përcjelljen e saj shkallë-shkallë. Pas interesimeve të personave që kanë qenë në pritje të emërimeve të reja, atyre u është thënë se praktika u ishte çuar te titullari dhe ishte në pritje të firmës së tij kur ajo kishte kaluar dhe mbahej në sirtarin “e burokratit”. Ky i fundit bën “dashamirësin” me të interesuarin, praktikë kjo që është e kritikueshme, pasi ngjan me shtrëngim të qëllimshëm për përfitim. Burimet thonë se ky është shprehur si një shqetësim, por nuk ka të dyshuar konkretë apo fakte për persona të implikuar në këtë praktikë jo korrekte. Po sipas tyre nuk është përfshirë në hetime Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë, por sinjalet duhet të kenë shkuar deri atje dhe nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të metodave speciale për zbardhjen e komunikimeve të bëra në këto raste.
RregullorjaDuke iu referuar rregullores së Personelit në Policinë e Shtetit përcaktohet se punonjësi i uniformave blu mund të transferohet dhe caktohet në detyrë në varësi të gradës që ai ka. Qëllimi i këtij emërimi është plotësimi i funksioneve të lira organike, për nevoja pune, apo kur ekziston një situatë reale dhe e rrezikshme ndaj jetës dhe familjes së tij. Kërkesa bëhet nga punonjësi i policisë për nevoja të ngutshme shërbimi apo dhe për karrierë brenda së njëjtës gradë. Ka raste kur punonjësi i policisë nuk e arrin nivelin e nevojshëm të kryerjes së detyrave në funksionin që mban, bazuar në vlerësimin e rezultateve individuale në punë. Praktika e do që ai të njoftohet një muaj para në rastet kur transferohet jashtë rrethit ku banon, kjo mund të shkelet vetëm në rastet kur transferimi bëhet për nevoja të ngutshme shërbimi. Kur punonjësi transferohet, atij i lihet një afat deri në 15 ditë për dorëzimin e detyrës.
Referuar Strategjisë së Policisë së Shtetit 2007-2013, e cila është ende në fuqi, përcaktohet si një aspekt mjaft i rëndësishëm menaxhimi i burimeve njerëzore. Kjo për vetë kompleksitetin e procesit të menaxhimit të njohurive e aftësive, identifikimin dhe promovimin e vlerave më të mira. Në thelb, ky menaxhim ka element kryesor krijimin e sistemeve për identifikimin dhe promovimin e vlerave më të mira të individit, si dhe të strukturave brenda Policisë së Shtetit. Shumë autorë dhe studiues, jo pa qëllim e barazojnë menaxhimin e suksesshëm të burimeve njerëzore me suksesin e Policisë së Shtetit. Sipas strategjisë, më parë ishin vërejtur një sërë mangësish në procesin e menaxhimit të burimeve njerëzore, kryesisht në mungesën e politikave të studiuara afatgjata dhe transparente të lëvizjeve, apo moszbatimi i legjislacionit në lidhje me gradimin dhe ecurinë në karrierë. Mangësi të tilla cilësohen si një ndikim negativ në suksesin e policisë, të shfaqura me mungesë profesionalizmi, moskrijimin e kulturës së brendshme të menaxhimit, administrimit dhe moskrijimin e një mjedisi të sigurt për vetë punonjësit. Mosrespektimi i këtyre normave, sipas strategjisë, kishte sjellë në shumë raste jomotivimin dhe shkurajimin e punonjësve të policisë në kryerjen e detyrës.
#