Liberalizimi i vizave shtyhet për në vjeshtë
Duket se këtë verë nuk do të ketë asnjë vendim konkret nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit, ku pritet të përfitojë dhe Shqipëria. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do e shtyjnë këtë vendim deri në vjeshtë, bëjnë të ditura burime të larta nga Komisioni Evropian në Bruksel për disa agjenci lajmesh. Deri në konstituimin e Parlamentit të ri nuk do të ketë një vendim përfundimtar për sa i përket kësaj çështjeje, - bëjnë të ditura burimet, - pasi edhe Parlamenti ka pjesën e tij të vendimmarrjes në këtë proces. Konstituimi i përbërjes së re të Parlamentit Evropian pritet të bëhet nga data 14 deri më 16 korrik në Strasburg. Ndërkaq vendimi për trajtimin e çështjes së vizave do të merret edhe nga përbërja e re e PE-së nga fillimi i vjeshtës. Duke parë që të djathtët vazhdojnë të kenë shumicën në këtë Parlament, nuk pritet të ketë ndryshime lidhur me politikën e PE-së rreth Ballkanit Perëndimor. Janë disa vende të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të futen në BE dhe presin këtë hapje të dyerve të Evropës për qytetarët e tyre, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Serbia. Ndërkohë ky diskutim po kalon disa faza. Do të jenë ministrat e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme të vendeve të BE-së që do të studiojnë raportet për të gjitha vendet e përfshira në këtë proces dhe do të japin sugjerimet e tyre për vendimin e mëtejshëm të Komisionit Evropian. Shtyrja në kohë e vendimit u paralajmërua dhe nga zv.presidenti i KE-së, njëkohësisht komisioner për Drejtësinë, Zhak Barrot. Të gjitha gjasat duket se janë për një sinjal pozitiv për këto vende që do të pasohet me një vendim konkret për liberalizim vizash nga fillimi i vitit tjetër. Një afat të ngjashëm kanë premtuar edhe në Tiranë zyrtarët në qeverisje, të cilët duke tentuar të jenë sa më realistë me ritmet me të cilat organet e BE-së po ecin në diskutimin e kësaj çështjeje, kanë parashikuar pranverën e ardhshme si kohën kur shqiptarët s’do të kenë më nevojë për viza në zonën “Shengen”.