E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, letër prokurores: Mos hesht ndaj korrupsionit të Ramës



Parlamenti shqiptar i dërgoi dje një shkresë zyrtare kryeprokurores Ina Rama përmes së cilës i kërkohet informacion për veprimet hetimore të kryera deri tani nga ky institucion ndaj dosjes korruptive të kryebashkiakut Edi Rama. Në bazë të ligjit nr. 8891 datë 2.5.2202, “Për Komisionet Hetimore Parlamentare”, si dhe të ligjit nr. 8737 datë 12.2.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë”, Prokurorisë i është dorëzuar para më shumë se tri javësh, raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar dhe po në përputhje më të është kërkuar fillimi i procedimit penal ndaj zyrtareve të lartë të Bashkisë Tiranë për kryerjen e disa veprave penale. Përmes kësaj shkrese bëhet e ditur se në këtë raport të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në Bashkinë Tiranë janë vënë në dukje rastet flagrante të konfliktit të interesit të vërejtura prej të paktën dy anëtarëve të KRRT-së – caktuar nga kryetari i bashkisë – që edhe votojnë haptas në konflikt interesi me dijeninë e kryetarit të bashkisë, edhe kanë monopolizuar lejet e ndërtimit në Bashkinë Tiranë, duke përbërë haptas elementet bazë të veprave penale. “Por, - theksohet më tej në letër, - edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë nga depozitimi, edhe pse nga ana Juaj duhej të kishte një reagim dhe informim të Kuvendit dhe/ose Komisionit Hetimor Parlamentar, si për veprat penale të kallëzuara prej nesh ashtu edhe për ato të cilat Ju kryesisht duhet të kishit filluar procedimin për rastin se si Dash Pezës i është dhënë leje ndërtimi për pallat mbi rrugë publike, deri më sot nuk ka pasur asnjë veprim procedural prej Jush në detyrim të legjislacionit penal”. Topalli shkruan: “Siç është bërë e ditur publikisht, Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi mbi një truall publik, që është një rrugë e lagjes, dhe sot kjo rrugë nuk ekziston më, për të vetmen arsye se ndërtuesi Dash Peza është miku i ngushtë i kryetarit të bashkisë. Dhënia e lejes së ndërtimit në mungesë së pronësisë mbi tokën është gjithashtu në kundërshtim me ligjin e urbanistikës dhe krijojnë bindjen e plotë se është konsumuar vepra penale e ‘Shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”. Letra e Kuvendit përfundon: “Duke marrë në konsideratë interesin e madh publik që kanë çështjet e mësipërme, Ju kërkojmë, bazuar në nenin 22 të ligjit nr. 8891 datë 2.5.2202, “Për Komisionet Hetimore Parlamentare”, si dhe nenin 52 të ligjit 8737 datë 12.2.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë”, i ndryshuar, të na informoni në një kohë sa më të shpejtë për veprimet hetimore të kryera nga ana Juaj, në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe funksionale të institucionit që drejtoni”. Pak më herët, edhe kreu i Komisionit Hetimor Rama 2, Ferdinand Xhaferri, përmes një prononcimi për mediat i kërkoi Prokurorisë që të informonte Kuvendin lidhur me ecurinë e veprimeve hetimore. Sipas tij, abuzimi i Ramës kap shifrën e 1 miliard lekëve dhe ato nuk mund të fshihen. "Mënyra se si Edi Rama ka organizuar dhe ekzekutuar këtë model të paparë korrupsioni, kuu jep 59 leje ndërtimi dy bashkëpunëtorëve të tij, dy ortakëve të tij, dy ish-punonjësve të bashkisë, shënon rastin më të rëndë të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Përmasat e këtij abuzimi që kapin vlerën e 1 miliard lekëve të vjetra, nuk mund të mbrohen, nuk mund të mbahen dhe nuk mund të fshihen. Pra, nuk ka prokuror, të ri apo të vjetër, me eksperiencë apo pa eksperiencë, që të mbrojë apo të fshehë këtë lloj skandali”, - tha z. Xhaferri. Ai bëri të qartë se Prokuroria, bazuar në detyrimet ligjore, duhet të informojë Kuvendin lidhur me ecurinë e veprimeve hetimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›