E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS: Masa radikale

Tiranë -Partia Socialiste ka kërkuar sot ndryshim radikal të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS,Damian Gjiknuri gjatë inspektimit në njësinë Nr.1 u shpreh për mediat se PS po monitoron në vazhdimësi këtë proces në të gjithë vendin dhe konstaton mjaft parregullsi e probleme. “Partia Socialiste ka filluar një inspektim në terren lidhur me gjithë shqetësimet që ne vazhdojmë t’i ngremë lidhur me procesin e aplikimit për letërnjoftime. Shpreh edhe njëherë shqetësimin se procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve po has në pengesa serioze. Shumë zyra postare në një pjesë të vendit nuk po aplikojnë tarifat e reja ose edhe kur i aplikojnë nxjerrin probleme për shumë persona”-theksoi ai.

Gjiknuri theksoi se në të njëjtat zyra shtetasve që nuk e kanë emrin në listën e pasaportave u nxirren pengesa duke u kërkuar vërtetime nga policia megjithëse nënshkrimi i deklaratës është i mjaftueshëm. “Gjithashtu, fakti që Ministria e Brendshme vazhdimisht ka refuzuar kërkesën tonë që prej dy muajsh për të vënë në dispozicion listën e plotë të shtetasve me pasaportë hedh hije dyshimi, se në këtë proces ka pasur dhe ka përpjekje të orkestruar për të zvogëluar numrin e shtetasve pa pasaportë”-theksoi zyrtari i partisë më të madhe në opozitë.

Gjiknuri ka akuzuar Ministrinë e Brendshme, sipas të cilit nuk bashkëpunon me opozitën për këtë proces, por jep deklarata shabllone se procesi po ecën perfekt. Në emër të Partisë Socialiste, Gjiknuri ka theksuar se nëse nuk ka vullnet të qartë nga qeveria për të dhënë informacionin e kërkuar, si dhe një ndryshim radikal në terren duke shmangur çdo barrierë administrative deri në 17 Maj 2009, atëherë PS do të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me zgjedhjet.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila ka theksuar se janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të realizuar informimin dhe transparencën e plotë mbi procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike.

“Ministria e Brendshme ka informuar zyrtarisht dhe në mënyrë periodike mbi procesin Partinë Socialiste dhe të gjithë subjektet e interesuara duke filluar që nga data 1 shkurt 2009. Këto informacione janë dërguar zyrtarisht pranë përfaqësuesve të Partisë Socialiste në komisionin e posaçëm parlamentar në datën 20 Mars, në datën 1 Prill, në datën 7 Prill, në datën 15 Prill, në datën 28 Prill dhe në datën 5 Maj 2009”-thekson deklarata.

“Ministria e Brendshme informon se numri i aplikantëve pa pasaportë të cilët përfitojnë kompensimin financiar nga qeveria shqiptare është 340 mijë shtetas. Ministria e Brendshme i ka dërguar zyrtarisht Partisë Socialiste listën e të gjithë personave pa pasaportë të mbetur pa aplikuar ende deri në datën 5 Maj 2009, përmes shkresës së saj me Nr. Prot. 3457”-vijon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›