Gjykata Kushtetuese vizitë në SHBA
Me ftesë të Shoqatës së Juristëve Amerikanë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari i saj Vladimir Kristo, do të bëjë në ditët në vazhdim një vizitë në SHBA. Gjatë ditëve të qëndrimit, delegacioni do të pritet në Gjykatën e Lartë të SHBA-së. Ftesa iu bë e ditur kryetarit të kësaj gjykate nga juristi i njohur amerikan Roger D.Sherrard, i cili vizitoi vendin tonë javën e kaluar. Vizita e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhet në një periudhë të “nxehtë” të veprimtarisë së saj. Për shkak të ligjit “Për pastërtinë e figurave” dhe shqyrtimit të saj në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj edhe ditët e fundit vazhdojnë të mbeten nën presionin e përfaqësuesve të maxhorancës, të cilët shprehen të sigurt se disa anëtarë të saj duhet të japin dorëheqje, në zbatim të këtij ligji. Çështja i ka kaluar Komisionit të Venecias.