E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Meksi s’ka kthyer makinën nga 2005

 

Respektimi i shtetit ligjor rikthen debatin në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës. Duke replikuar me ish-ministren e Integrimit, Ermelinda Meksi, kreu aktual i këtij dikasteri, Majlinda Bregu, e akuzoi atë se nuk ka kthyer ende makinën që mbante falë postit nga viti 2005. “Për sa i përket çështjes së respektimit të shtetit ligjor, për të cilin juve u dhemb shumë dhe e keni shumë merak, se e keni respektuar që në ditën e parë që keni qenë në pushtet deri ditën e fundit që u larguat. Zonja duhet të kthejë makinën që e mban peng që nga viti 2005 kur je larguar si ministre dhe që sot është kapur përsëri me shkelje nga KLSH-ja, çështje e cila për fatkeqësinë tuaj po përcillet për në prokurori shoferi juaj”, theksoi Bregu gjatë replikës në Kuvend. Madje ajo bëri të ditur se të enjten, në seancën e ardhshme parlamentare do të depozitojë në Kuvend të gjithë korrespondencën nga viti 2005 për kthimin e makinës nga ish-ministrja e Integrimit. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i deputetes së PS-së. “Jam e vetmja deputete në këtë Parlament prej 3 vjet e gjysmë që s’kam minimumin që më takon dhe është një çështje që nuk zgjidhet mes meje, ministres dhe kryetares së Kuvendit. Eshtë në turpin e ministrave që merren me çështje kaq vulgare dhe të vogla dhe objekt replikash pa përmbajtje. Me këtë rast i japim mundësi opinionit publik se çfarë qeverie dhe çfarë ministrash kemi”, u përgjigj Meksi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›