Kartat, Poni: Gati 70 zyra aplikimi në Tiranë
Adi Shkëmbi
Qytetarët që nuk do zbatojnë afatin e vendosur nga qeveria, 1 shkurtin, për të aplikuar, nuk do të përfitojnë disa prej shërbimeve kryesore. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni bën thirrje për zbatimin e afateve dhe marrjen me seriozitet të procesit të pajisjes me kartat e identitetit. Në një intervistë për gazetën "Panorama" ai flet për hapat që duhen ndjekur për marrjen e këtij dokumenti.
Të hënën nis aplikimi në zyrat e postës për marrjen e katrave të identitet. Duke pasur parasysh gjithë procedurën a është gjithçka gati për këtë proces?
Mund të them se gjithçka është gati, duke pasur parasysh kalendarin e veprimeve dhe vendimin e qeverisë që autorizon institucionet publike të pranojnë pagesat e nëpunësve të tyre, që të bëjnë kalimin e pagesave në llogari. Koncensionari me sistemin e integruar dhe stacionet e aplikimit në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë qoftë regjistri kombëtar i gjendjes civile, janë bërë gati që të hënën të fillojmë me aplikimin e parë dhe më pas ky proces do të vazhdojë në rritje.
Ndonëse procesi do të nisë nga zyrat e postës, a kanë gjithçka gati zyrat e instaluara në gjendjen civile për të përballuar këtë proces, i cili pritet të shoqërohet nga një fluks i madh aplikuesish?
Sistemi do të jetë i tillë që atje ku ka një zyrë të gjendjes civile atje ka edhe një zyrë aplikimi. Por një zyrë aplikimi do të thotë disa stacione dhe kjo varet nga numri i popullsisë. Koncensionari në Tiranë ka vendosur rreth 70 stacione aplikimi, që për çdo 10 mijë banorë ka 1 stacion aplikimi dhe po ta shtrish këtë në një kohë 4-5 mujore i bie më pak se 100 aplikime në ditë, që është krejtësisht e aplikueshme.
Për ta bërë më të thjeshtë, çfarë përmban një stacion aplikimi?
Një stacion aplikimi quhet një nëpunës, një kompjuter, një printer, një aparat fotografik, një pajisje për të marrë shenjat e gishtave, një pajisje për të marrë firmën elektronike dhe të gjitha këto janë të kompletuara. Dje më ka raportuar koncensionari që i ka instaluar pajisjet, sot (dje) po bëhet prova e softuerave-ve dhe do vazhdohet më tutje.
Po me administratën si do të veprohet?
Njësoj si për gjithë kategoritë e tjera. Për administratën ka një lehtësi, që pagesat do të kryhen pranë institucioneve publike. Por ajo do të jetë më e shtrënguar ta kryejë aplikimin më shpejt se gjithë të tjerët. Të gjithë institucionet qendrore ose vendore, punonjësit e tyre duhet të kenë mbaruar aplikimin brenda 25 shkurtit 2009. Sot kemi bërë një mbledhje me sekretarët e përgjithshëm të gjithë ministrive dhe me përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës për të kryer pagesat, për të marrë mandat arkëtimet, për të aplikuar në zyrat përkatëse.
Po përsa i përket emigrantëve?
Që të jemi të qartë, të gjithë aplikimet do bëhen në zyrat e aplikimit në Shqipëri. Ata janë të regjistruar në një zyrë në gjendjen civile do të shkojnë të aplikojnë në zyrën ku janë të regjistruar. Hapi i parë është pagesa e mandat arkëtimit në postë dhe për punonjësit shtetërorë në zyrat ku marrin rrogën. Çdo bashki e komunë ka të paktën një zyrë të gjendjes civile, pra ka një infrastrukturë të madhe ku mund të paguhet. Blihet mandat arkëtimi, shkohet në qendrën përkatëse të aplikimit. Mirë do të jetë që qytetari të ketë një dokument identifikimi me vete, për të krijuar një korrespondencë të ndërsjelltë me atë që aplikon, lidhesh me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Pra, nuk ka nevojë të merret certifikatë. Më pas dalin të dhënat, verifikohen, firmosen dhe formulari i aplikimit, i cili ka dy pjesë, ku njëra i jepet qytetarit dhe njëra ngelet në zyrën e aplikimit së bashku me faturën. Ajo që ne kemi kërkuar që deri sa të marrin kartën, që do të thotë 15 ditë pas aplikimit, kudo që të shkojnë duhet të tregojnë formularin e aplikimit që ka gjithashtu një numër të veçantë.
Sa do të jetë jetëgjatësia e një karte?
Afati i një karte do të jetë 10 vjet. Qoftë materiali i trupit të kartës, qoftë cipi janë prodhuar në mënyrë të tillë që të kenë një kohëzgjatje 10-vjeçare. Ai është një dokument me vlerë përsa i përket lehtësive, që u jep qytetarëve dhe mirë është që ta mirëtrajtojnë dhe ta mbajnë siç mbahet një kartë krediti. Kjo është karta më me vlerë. Vetëm po të kujtojmë peripecitë 2-3 vjet më parë për certifikatat, jemi duke ardhur drejt një fundi të lumtur.
Përse vendosët afatin 1 shkurt për aplikimin?
Nga 1 shkurti disa shërbime nuk do të jepen nëse nuk aplikon. Kjo do të thotë se nëse do shkosh në gjendje civile në 2 shkurt për një certifikatë, zyrtari të kërkon nëse ke aplikuar dhe nëse nuk tregon formularin, ky shërbim nuk do të ofrohet.
A është ky një afat shumë i vogël?
I afërt nga sot? Po të ishte për mua do ta kisha vënë edhe më afër, por është vendosur mbi bazën e një logjike: në 1 shkurt sistemi është i plotë në të gjithë Shqipërinë dhe s'mund t'i kërkosh të tjerëve nëse nuk e ke instaluar të gjithë sistemin. Në momentin që kudo mund të aplikohet, të gjithë qytetarët, e para kanë kohë ta marrin vesh dhe e dyta do shkojnë të aplikojnë normalisht për të marrë shërbime të rëndësishme.
Duke pasur parasysh fluksin e madh që do të jetë në fillim të këtij procesi, a është e mundur që deri në 1 shkurt të kenë aplikuar të gjithë qytetarët?
Qytetarët do aplikojnë, të paktën për herë të parë, deri nga fundi i qershorit. Deri në 1 shkurt është në sensin se jo çdo qytetari do t'i takojë që në datën 1 të shkojë në gjendjen civile të marrë një certifikatë. Kjo do e detyrojë që herë pas here kur të kenë nevoja, do të ketë një prurje normale dhe asnjëherë të mos kemi vende bosh. Kjo është një sfidë që qytetarët duhet ta përmbushin që ky sistem duhet të funksionojë. Në takimin me sekretarët e përgjithshëm, zyrtari i Ministrisë së Jashtme ngriti shqetësimin që integrimi ynë për liberalizimin e vizave, është i suksesshëm nëse do themi se sa pasaporta kemi shpërndarë. Është shumë më ndryshe të mbash një pasaportë 100 herë më të mirë sesa kjo e sotmja.
Kryeministri Berisha është shprehur se po shikohet mundësia të ketë lehtësim të procedurave. Ka diçka konkrete?
Nëse unë e kuptova mirë, mund të jetë që ndonjë kategori (kjo nuk i përket Ministrisë së Brendshme, por është një politikë e përgjithshme e qeverisë, pse jo dhe e të gjitha forcave politike), studentët ose pjesë të punonjësve të administratës, të kenë njëlloj inventivi për aplikimin. Pra, nëse vijnë në kohën e duhur, të kenë një zbritje nga pagesa, por unë i qëndroj fort se dokumenti është me shumë vlerë. 1200 lekë të reja është jashtëzakonisht i lirë. Me këtë nuk dua të them që jam kundër ose pro, kjo është pjesë e politikave nxitëse qeveritare. Unë mendoj se çdo akt pozitiv do t'i bënte mirë procesit. Por sot për sot jam që edhe në këtë pozitë të nxis koncesionarin, që të përmbushë detyrimin, siç e kam mbështetur deri tani që të respektohen afatet. Cilido person i përgjegjshëm duhet të japë kontribut, t'i bashkohet përpjekjeve të lavdërueshme të qeverisë për një hap cilësor jo vetëm në identifikimin e shtetasve, por edhe në konsolidimin e shtetit ligjor dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane. Ne kemi një kostum të ri, por është një kostum esencial dhe jo sa për të kaluar radhën. Le të bëjmë të gjithë pjesën tonë për t'i dhënë një kontribut Shqipërisë dhe pjesa jonë për t'i dhënë një kontribut është që edhe në këto kushte që unë mendoj se janë goxha të mira, të kemi një mundësi që qytetarët shqiptarë të mund të aplikojnë.
Pra, mund të ketë ndryshime në çmim në funksion të lehtësirave të procesit?
Kjo ishte përgjigjja ime. Unë i mirëpres të gjitha kontributet aq më tepër nga qeveria, e cila me të vërtetë ka qenë promotor i kësaj reforme kaq të rëndësishme dhe ku ne kemi pasur mbështetjen kryesore. Vetë Kryeministri ka qenë i interesuar dhe e ka ndjekur nga afër këtë proces dhe ndoshta pa mbështetjen dhe drejtimin e tij vështirë se mund të bëhej ky proces.
Ju thatë më lart se zyrat e instaluara në zyrat e gjendjes civile i kanë kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar fluksin e aplikuesve për kartat e identitetit. Po postat i kanë kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar aplikuesit, pasi do të jenë ato të parat ku qytetarët do të ndalen?
Postat kanë edhe më shumë mundësi. Puna në postë është shumë e lehtë. Në postë do dorëzosh lekët dhe do të marrësh një faturë të vogël, që është mandat arkëtimi dhe që tregon se ti i ke paguar lekët.
Në periudhën janar deri në qershor, kur duket se është edhe më i ngutshëm ky proces për shkak të zgjedhjeve, do të zbatohen orare të zgjatura për punonjësit e postave dhe të zyrave të gjendjes civile?
Zyrat do të funksionojnë edhe me dy turne nëse do të jetë e nevojshme. Gjithashtu, ato do të punojnë edhe me orar të zgjatur të shtunave, por nëse do të duhet edhe të dielave. Kjo bëhet në mënyrë që t'i përshtaten dinamikës së aplikimeve, por edhe dinamika e aplikimeve duhet t'i përshtatet rrjetit që ne kemi ngritur. Në komuna ne jemi të vëmendshëm dhe do të mbështesim çdo masë të koncensionarit që të bëjë ndonjë planifikim territorial, por njerëzit duhet të vijnë të aplikojnë.
Në vendim është përcaktuar që pensionistët, të cilën kanë goxha kohë në dispozicion dhe që mund të themi se janë mësuar me radhët, janë kategoria e fundit që do të duhet të aplikojnë, ndërkohë që ka disa kategori të tjera, që janë me më shumë angazhime dhe që kanë një afat më të afërt. Është kjo një zgjidhje jo e menduar mirë?
Do ishte paradoks po të ishte ndryshe. Unë këtë e di mirë pasi jemi marrë me këtë çështje. Pensionistët nuk mund të rrinë në radhë dhe s'mund të themi se janë mësuar, pasi kjo kohë nuk është komunizëm. Kjo kohë është në mbështetje të individit dhe sa më vulnerabël të jetë njeriu, unë i respektoj prindërit tanë që hera-herës nuk kanë fuqi fizike për të qëndruar, shtoji kësaj që është periudha dimër deri në mars, atyre u duhen një kohë më të përshtatshme dhe nga pikëpamja shëndetësore për të vajtur. Ndërsa njerëzit që janë në punë, pikërisht edhe për këtë dhe shoqëria i ka ofruar një mundësi tjetër shumë më të madhe, do të duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe kanë lehtësinë që nuk do të shkojnë në postë por do e bëjnë pagesën në punë, mund ta bëjnë atë shumë mirë. Ndoshta të njëjtën procedurë do ndjekim edhe me shkollat apo institucione të tjera të varësisë, që periudha të caktuara në mënyrë të disiplinuar dhe të mirorganizuar, nxënësit që mbushin 18 vjeç ta përmbushin këtë detyrim me siguri, jo spontan që nëse do e bën dhe nëse nuk do nuk e bën. Nëse e shikoni ky është një vendim që nuk ka sanksione. Nuk është aspak e dëshirueshme që meqenëse nuk e bën një gjë, unë të dënoj që s'po e bën këtë gjë, por të marrë masa që ti ta bësh këtë gjë. Këto janë masa që i nxisin qytetarët, është njëlloj shtytje, që të aplikojnë.