Mbyllet në qeli, detyroi gruan të vetëvritej
TIRANE - Besnik Hasa, 44-vjeçari kryeqytetas, i arrestuar për shtyrje të bashkëshortes drejt vetëvrasjes si pasojë e dhunës dhe presionit të vazhdueshëm, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykatësi i gatshëm i kësaj jave në Gjykatën e Tiranës, Sokol Tona, vendosi dje të pranonte kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë "burg pa afat", për të akuzuarin për "shkaktim të vetëvrasjes". Ngjarja për të cilën u vu në pranga 44-vjeçari me origjinë nga Kukësi dhe banues në Bathore, ndodhi mesnatën midis datës 5 dhe 6 janar, kur bashkëshortja e tij u vetëflijua me litarin e djepit. Vetë i pandehuri, së bashku me avokatin e tij mbrojtës, për rreth një orë, paraditen e djeshme, dhanë deklarime para gjykatësit të gatshëm duke u mbrojtur me faktin, se viktima dhe i pandehuri vuanin nga çrregullime mendore dhe se burgosja e 44-vjeçarit bëhej shkak që të mbetnin pa përkujdesje 4 fëmijët e tij të mitur, më i madhi 13 vjeç dhe më i vogli 7 vjeç. Duke u mbështetur edhe në prezumimin e pafajësisë, mbrojtësi i të pandehurit kërkoi vendosjen e një mase më të lehtë sigurie në ngarkim të klientit të tij. Sipas prokurorisë, ngjarja e rëndë e ndodhur në Bathore, ishte pasojë e dhunës së vazhdueshme të 44-vjeçarit ndaj bashkëshortes së tij Elisabeta Hasa. Për këtë shkak, ajo në tetor të vitit të kaluar së bashku me tre fëmijët ishte larguar nga banesa për në kishën e Shënanoit në Laç me shpresë se bashkëshorti nuk do ushtronte dhunë ndaj saj. Pas disa ditësh ajo kthehet në banesë dhe nuk pranon të denoncojë burrin për dhunën e mëparshme, ndërsa ai ka vazhduar sërish ta qëllojë me shpulla dhe grushte. Dje në gjykatë, i pandehuri e pranoi këtë rrjedhë të ngjarjeve, ndërsa pohoi se pak minuta para se bashkëshortja të vetëflijohej e kishte zgjuar nga gjumi dhe i kishte thënë: "Deshe të vrasësh veten, ja ku e ke litarin e djepit. Lidhe atë në qafë dhe varu në dritare". Pas këtij veprimi, ajo, që edhe më parë kishte tentuar të vetëvritej, pa e zgjatur ka vepruar në atë mënyrë. "As vetë nuk arrita ta kuptoj, pse qëndrova aq gjakftohtë dhe nuk veprova ndërsa Elisabeta po vdiste në litar", pohoi Hasa para gjykatësit të gatshëm, duke u përpjekur të justifikohej. Kurse avokati i tij, gjatë mbrojtjes tha në gjykatë se katër fëmijët e Hasës, njëri prej të cilëve me një grua tjetër që kishte divorcuar shumë vite më parë, ndodheshin në korridorin e gjykatës, duke pritur me ankth vendimin për të atin. Ndërsa vendimin për burgosjen e tij, avokati pohoi se do e apelonte. fa.ma.