Tabelat hutojnë turistët në qytetin e UNESCO-s
GJIROKASTER
Fundi i vitit që shkoi shënoi në Gjirokastër instalimin e tabelave, të cilat kanë për synim orientimin e vizitorëve vendas e të huaj drejt siteve arkeologjike, monumenteve të kulturës si dhe pika të ndryshme natyrore me një status të caktuar. Tabelat u vendosën fillimisht anës superstradës Gjirokastër-Tepelenë, duke u pasuar në pjesët e brendshme të qytetit, i cili tashmë është pjesë e trashëgimisë botërore pas përfshirjes në UNESCO. Duke parë këto tabela të reja në të dy krahët e autostradës qoftë edhe më një sy kalimthi, vëren gabime në emërtesa dhe pasaktësi të pajustifikuara për pika dhe monumente kulturore dhe arkeologjike të ndryshme. Gjuha e përdorur për emërtime është ajo e viteve '50-'60, kur këto monumente nuk ishin studiuar dhe evidentuar plotësisht. Ajo që bie në sy është se në to nuk gjen as periudhën historike, të cilave u përkasin, as informacionet e tjera të nevojshme për udhëtarët, etj. Ka aq shumë pasaktësi sa mund të thuhet me plot gojë, se instalimi i tyre çorienton jo më një vizitor të huaj, por edhe ata vendas. P.sh., emërtesa e fshatit Shtëpëz që ndodhet 10 km në veri të Gjirokastrës. Sipas tabelës, në këtë fshat ndodhet një kala, por në fakt ajo nuk ekziston. Në fshatin Goranxi të Dropullit të Poshtëm, tabela të orienton për tek tumat e Jermës, vend ky që ndodhet në drejtim krejtësisht të kundërt me atë emetues. Në fshatin Vanistër tabela ka edhe gabime drejtshkrimore dhe emri i fshatit Vanistër, shkruhet Vinishte. Gabime të patolerueshme vihen re në përdorimin e emrave të parkut Arkeologjik të Antigonesë dhe teatrit të Hadrianopolit në Sofratikë të Gjirokastrës me termin "Kalaja e Jermës", kurse për teatrin e Hadrianopolit termi "rrënojat e teatrit antik". Termat e përdorur i takojnë viteve të mëparshme kur ende Antigoneja, nuk ishte zbuluar nga arkeologu Dhimosten Budina në vitet '70. Tabelat njëkohësisht të ofrojnë dhe informacion të cunguar. Tek to nuk jepet asnjë e dhënë për kohën në të cilën datohet monumenti, si dhe largësinë që ka nga vendi i tabelës ose i një qendre të banuar. Në tabelat orientuese mungojnë monumente të rëndësishme si Kalaja e Palokastrës, Tumat e Valaresë, Kisha e Pepelit dhe ajo e Koshovicës. Asnjë urë monument nuk është e shkruar në këto tabela si p.sh., ura e Leklit, e Grapshit, e Kordhocës etj., që kanë një histori të largët ndërtimi. Por problematike tabelat janë edhe brenda qytetit të Gjirokastrës. Vlerat e trashëgimisë së banesës qytetare, të cilat përfaqësohen në listën e monumenteve, nuk janë përfshirë fare në këto tabela, megjithëse shteti financon restaurimin e tyre. Monumenti "Hamamet e Meçites" në tabelë shënohet "Banjat e Meçites" ndërkohë që Stera e Baboçateve e shkatërruar 20 vjet më parë, në tabela rezulton ekzistuese. Nga institucionet kulturore në Gjirokastër, askush nuk ka dijeni për realizimin e këtij projekti, i cili ofron kaq pasaktësi në informimin e vizitorëve vendas dhe të huaj drejt vlerave tona të trashëgimisë. As Drejtoria Rajonale e Monumenteve dhe as Bashkia e Gjirokastrës nuk janë përfshirë në këtë projekt, i cili mësohet se është iniciuar nga Ministria e Transporteve. Por, për të krijuar dhe vendosur tabelat që lidhen me pjesën e trashëgimisë së një qyteti tashmë në UNESCO, mungesa e specialistëve ka munguar.
Gabimet në tabelat e reja
Kala në fshatin Shtëpëz (nuk ekziston)
Fshati Vanistër shënohet Vinishte
Teatri i Antigonesë emërtohet "Kalaja e Jermës"
Teatri i Hadrianopolit - rrënojat e teatrit antik
"Hamamet e Meçites" shkruhen "Banjat e Meçites"
Stera e Baboçateve (sot e shkatërruar)