Zvarritet ndërtimi i maternitetit
DURRES - Rikonstruktimi i godinës së Maternitetit në Spitalin e Durrësit po zvarritet pambarimisht. Pavarësisht faktit se çelësat e godinës së rikonstruktuar duhet të ishin dorëzuar afro 18 muaj më parë, ende nuk është arritur asnjë zgjidhje. Fluksi i Durrësit i përllogaritur në rreth 2500 lindje në vit, vazhdon të përballohet në mjediset e reparteve të tjera të spitalit. Ndërkohë që tendenca e lindjeve në qytet shënon një rritje vjetore me 150 raste, del si domosdoshmëri fillimi sa më parë i punës në godinën e restauruar. Aktualisht, lindjet po kryhen në kushte tepër të vështira, pasi mjediset në dispozicion janë të kufizuara. "Në fillim të muajit shkurt do të fillojmë pajisjen e godinës së rikonstruktuar me shtretër", tha shefi i Maternitetit Arben Haxhihyseni. Sipas tij, janë vënë re ngadalësime në ritmin e punimeve. Sipas zërave që qarkullojnë në spital bëhet me dije se vonesat kanë ardhur si pasojë e ndryshimit të kursit të valutës, dollarit amerikan kundrejt lekut shqiptar. Kjo pasi në momentin kur u tenderua objekti me vlerë afro 6 milionë dollarë, kursi i këmbimit me lekun shqiptar për 1 dollar amerikan ishte 120 lek. Ndërsa tani që 1 dollar këmbehet me 90 lek, duket se shoqëria sipërmarrëse është e paaftë të kryejë dorëzimin e godinës në datën e caktuar. o.u