Policia bllokon “Tema”, protestë para redaksisë
Gazetarët e gazetës "Tema" janë përplasur me policinë, e cila mëngjesin e djeshëm nuk i lejoi ata të futen në ambientet e redaksisë. Forcat e rendit kanë ndaluar drejtorin e gazetës "Tema", Mero Baze të futet në redaksi me argumentin se po zbatojnë një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili e shpall ndërtesën ku është vendosur gazeta si një objekt të rëndësisë së veçantë për shkak se aty do të prodhohen kartat e identitetit. Por në një vendim të gjykatës lëshuar në 6 janar të këtij viti thuhet se gjykata ka vendosur bllokimin e çdo veprimi që cenon gëzimin e posedimin e qetë të objektit të kontratës së qerasë lidhur mes shoqërisë "Mediasoft Albania" dhe Ministrisë së Ekonomisë. Në mbështetje të gazetarëve të gazetës "Tema" u bashkuan edhe emra të njohur të gazetarisë shqiptarë, të cilët kanë reaguar ashpër ndaj këtij akti. Ata kërkuan që qeveria të anulojë vendimin e saj, ndërsa kërkuan edhe mbrojtjen e këtij rasti nga vetë forcat politike. Në një intervistë për VOA, Baze ka theksuar se Berisha ka shkelur vendimin e gjykatës, që i lejon gazetës "Tema" të punojë në atë ndërtesë. "Berisha ka urdhëruar të mos zbatohet vendimi i gjykatës. Ne nuk kemi hyrë ilegalisht në atë ndërtesë, por kemi nënshkruar një kontratë 20-vjeçare, prandaj mendojmë se kjo është dorë e qeverisë. Eshtë një hakmarrje ndaj gazetës "Tema"", ka deklaruar Baze. Ai ka shtuar më tej se me këtë bllokim gazeta rrezikon të mos publikohet normalisht, pasi në ndërtesë ndodhen kompjuterët e faqosjes dhe shtypshkronja.