Kërp apo kanabis, policia humbet përfundimisht davanë
Konflikti mes fermerëve të Shkrelit dhe policisë mund të quhet zyrtarisht i mbyllur. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër, që i nxirrte të pafajshëm fermerët e Shkrelit, të cilët kishin kultivuar kërp industrial dhe jo kanabis sativa ka qenë prokuroria ajo që nëpërmjet një shkrese për rikthim të sekuestros së provës materiale ka vulosur përfundimin e betejës së gjatë mes fshatarëve dhe organeve të drejtësisë. Prokuroria ka urdhëruar që bima e sekuestruar në vitin 2005 një sasi prej një toni t‘u rikthehet fermerëve të Shkrelit. Por përveç rikthimit të kërpit, policia dhe konkretisht Ministria e Brendshme u detyrohet fermerëve një shumë prej 10 milionë lekësh të reja si dëmshpërblim për një tjetër sasi bime që u korr para kohe si e dyshuar për kanabis sativa. Historia e akuzave dhe kundërakuzave mes fermerëve të Komunës Shkrel dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër nisin që në vitin 2000. Gjatë këtij viti, policia në një aksion tepër të bujshëm, asgjësoi rreth 500 mijë rrënjë të dyshuara si kanabis sativa në Shkrel. Ky veprim u kundërshtua nga kryekomunari i asaj kohe, Martin Pëllumbi, i cili krijoi edhe shoqatën e fermerëve të zonës. Kjo shoqatë e hodhi në gjyq Ministrinë e Brendshme dhe në vitin 2005 u arrit pafajësia e fermerëve dhe ministria u detyrua t‘i dëmshpërblente ata. Më pas, më 25 dhjetor të vitit 2005, kur duhej të jepej dëmshpërblimi ndaj fermerëve, policia e Shkodrës organizoi një tjetër operacion me anë të të cilit u sekuestroi fermerëve të Shkrelit rreth 1 ton bimë të dyshuar si kanabis sativa. Gjatë këtij operacioni, policia vuri në pranga katër fermerë ndër të cilët edhe kryetarin e Shoqatës së Fermerëve, Martin Pëllumbin. Por pas analizave që u bënë në laboratorët e kriminalistikës në Tiranë rezultoi se bima e sekuestruar ishte kërp industrial. Megjithatë, policia e bindur në akuzat e saj vazhdoi betejën me fermerët, duke e dërguar bimën e dyshuar në laboratorë të specializuar në Itali. Kjo analizë, sipas policisë, nxori se bima ishte kanabis sativa dhe kreu i fermerëve u arrestua sërish. Por pak kohë më vonë u zbulua se analizat italiane ishin interpretuar gabim dhe Gjykata e Apelit Shkodër u dha të drejtë fermerëve. Së fundi është vendosur që këtyre fermerëve t‘u kthehet prodhimi i bllokuar para 4 vjetësh, duke i nxjerrë përfundimisht fitimtarë.