Kryeministri Sali Berisha takoi Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Çekisë, Miloslav Vlèek

"Do të ndihmojmë Shqipërinë për të shkurtuar kohën e anëtarësimit të plotë të saj në BE”
Gjatë qëndrimit në Pragë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Miloslav Vlèek. Kryetari i Dhomës së Deputetëve Vlèek e uroi Kryeministrin Berisha për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE, duke e konsideruar këtë një hap shumë të rëndësishëm.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu Miloslav Vlèek mirënjohjen e qeverisë shqiptare për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO dhe të MSA-së, nga pala çeke. Dy personalitetet i vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike.
Duke u ndalur më konkretisht te perspektiva e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, Miloslav Vleek, vlerësuan si mjaft pozitive perspektivën e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve veçanërisht në sektorë të tillë si transporti, infrastruktura, mjedisi, industria e rëndë.
Vlèek theksoi se konstatonte me kënaqësi, se interesi i investitorëve çekë për të investuar në Shqipëri nuk ka njohur ndalesa, edhe në këtë periudhë të krizës ekonomike globale.
Duke kujtuar investimet e bëra nga kompania “Çez” në Shqipëria, Kryeministri Berisha u shpreh i bindur se investimet çeke do të jenë edhe më të mëdha, duke u ndalur edhe tek potencialet e mëdha që vendi ynë ofron për investitorët e huaj.
Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Miloslav Vlèek u shpreh se Çekia i ofron Shqipërisë ndihmën dhe eksperiencën e saj për ecurinë e shpejtë të procesit të anëtarësimit të plotë të vendit në BE, në mënyrë që Shqipëria të marrë hapa më të zhdërvjellët dhe të mos ketë vështirësitë administrative që i ka pasur Çekia. Kryeministri Berisha i bëri ftesën Kryetarit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë Miloslav Vlèek për të vizituar Shqipërinë, ftese të cilën ai e pranoi me kënaqësi
...