"Kartat, deri tani 500 mijë aplikues"
Ministria e Brendshme bëri dje me dije se deri tani kanë aplikuar për karta identitetit mbi 500 mijë persona. "Kanë aplikuar deri më tani mbi 500 mijë qytetarë, janë prodhuar 403 744 letërnjoftime elektronike, nga të cilat 306 560 janë dërguar në zyrat e shpërndarjes", tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja. Sipas tij, procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike po ecën me ritme të kënaqshme. Por pavarësisht deklaratave nga kjo ministri procesi për aplikimin e kartave rrezikon seriozisht procesin zgjedhor. "Mbi gjysmë milion shqiptarë që kanë aplikuar deri më tani, kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin me sukses të aksionit të madh kombëtar për pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identitetit", tha Konja. Ministria e Brendshme ka informuar se pranë zyrave përkatëse janë dërguar të gjitha letërnjoftimet për aplikimet deri më 31 mars. "Njëkohësisht u bëjmë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar, të paraqiten pranë këtyre zyrave për të tërhequr letërnjoftimet. Thirrjen më të rëndësishme e më këmbëngulëse ua drejtojmë personave që nuk zotërojnë pasaportë dhe ende nuk kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik", tha Konja. Ministria e Brendshme bën thirrje për të aplikuar për kartat e identitetit duke përfituar në këtë mënyrë nga prioriteti dhe lehtësitë e vëna në dispozicion nga qeveria.