Kartat dhe krizat e identitetit
Edmond Tupja
Psikologët mund të flasin e të shkruajnë gjatë e gjerë lidhur me nocionin fort kompleks e po aq interesant të krizës apo të krizave të identitetit te njeriu në përgjithësi dhe te shqiptarët në veçanti në kapërcyell të dy shekujve të fundit që përkon me kapërcyellin e dy regjimeve, atij diktatorial dhe atij demokratik. Ç'është e vërteta, njeriun, madje edhe atë që është shumë i sigurt për identitetin e tij në tërësi, pra, thënë më thjesht, që ka bindjen e palëkundur se e di cili është, e mbërthejnë herë pas here kriza kur ai dyshon sado pak për këtë apo atë identitet që pandeh se ka përfundimisht (psikologjik, social, kulturor, fetar etj., etj., madje edhe gjinor).
Aktualisht, gjatë periudhës së tranzicionit të stërzgjatur shqiptar, me lëvizjet e dendura e të pakontrolluara të popullsisë brenda e jashtë vendit, u shfaq edhe një krizë tjetër identiteti, ajo e emrit, mbiemrit dhe e vendbanimit, rrjedhimisht edhe e vendvotimit. Po shpjegohem: Ka njerëz që nuk dihet me siguri të plotë se cilët janë, as ku banojnë. Shtoi kësaj edhe zgjedhjet legjislative dhe ato vendore, ethet zgjedhore të partive në luftën e pamëshirshme për pushtet, dhe situata vjen e ngatërrohet duke u turbulluar ose, si të doni, vjen e turbullohet duke u ngatërruar keqas.
Nga kjo gjendje mendohet se mund të dilet në sajë të kartave biometrike të identitetit. Sigurisht që letërnjoftimet e vjetra të kohës së qepës moniste janë bërë fërtele nga përdorimi (aq sa edhe vetë fjala "letërnjoftim" duket arkaike, gati parahistorike), kurse certifikatat me fotografi lëshuar nga zyrat e gjendjes civile, me gjithë përmirësimet e tyre, duket se lënë ende shteg për dyshime dhe abuzime. Pra, mendohet se kartat e identitetit (konceptim i ri, model i ri, emërtim i ri, ndonëse tri germat e para të fjalës "kartë" janë tmerrësisht erotike e mashkulliste) do ta ndreqin situatën e amullt të krijuar prej afro dy dekadash.
Mirëpo del se pajisja e shqiptarëve me to ka nisur me rrëmujë, pasiguri e pakënaqësi: radha të gjata, të lodhshme para sporteleve, paralajmërime për mosdhënie pensioni apo pagë buxhetorëve nëse nuk pajisen brenda afateve të caktuara me karta identiteti etj. Me një fjalë, të krijohet përshtypja se këto karta po e acarojnë krizën e shumëfishtë të identitetit që nuk po u ndahet shqiptarëve qysh prej rënies së komunizmit. Kështu, komshiut dhe mikut tim të vjetër pensionist Aqif Qifa, i lindën disa pyetje nga më të ligjshmet po të kemi parasysh moshën e tij të nderuar: 87 vjeç e 9 muaj e 3 javë e 2 ditë e 15 orë e 7 minuta e 13 sekonda: për shembull, sa orë do t'i duhet të rrijë në radhë për të marrë kuponin në postë? Si t'ia bëjë me reumatizmën, tensionin e lartë dhe Parkinsonin që e pengojnë të rrijë në këmbë për një kohë të gjatë kur të vijë puna si te tërheqja e fletëkërkesës ashtu edhe tek marrja e shenjave të gishtërinjve?
Të njëjtën gjë mund të pohojmë edhe për kolegun dhe mikun tim të ri Françesk Armadhi që vuan nga priapizmi dhe që, kur e mbërthejnë krizat e kësaj sëmundjeje, nuk mund të shfaqet në publik veçse me brekushe sa më të bollshme.
Të njëjtën gjë mund të pohojmë edhe për personat me handikap qoftë fizik, qoftë mendor: si mund t'i mbajnë ata të afërmit e tyre nëpër radha të gjata e të lodhshme? Duke i trullosur me neuroleptikë si haloperidoli? Duke i sjellë me barrela te qendrat apo pikat e ngritura për pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti?
Ja, pra, përse kartat e identitetit, për vetë mënyrën sesi, me sa duket, është organizuar puna për pajisjen e shqiptarëve me këtë dokument shumë të rëndësishëm, po i çekuilibrojnë këta, pra edhe ju, lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime, edhe mua gjithashtu, në sfondin kokëfortë të krizave tona të identitetit.