E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Taçi Oil” blen 100 milionë euro “Sheraton”

 

Për herë të parë një kompani shqiptare do të ketë në administrimin e saj një prej hoteleve më të njohur. Kompania “Taçi Oil” ka përfunduar blerjen e 100 për qind të aksioneve të hotel “Sheraton” në Tiranë. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, presidenti i kësaj kompanie, Rezart Taçi, ka zbardhur detajet e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja
Kompania “Taçi Oil” ka ofruar plot 100 milionë euro për blerjen e hotelit “Sheraton” në Tiranë. Sipas presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, brenda një afati të shkurtër kohor kompania që ai drejton do të investojë gati 20 milionë euro, në mënyrë që “Sheraton” të jetë një hotel me shtatë yje. “Për herë të parë ne po investojmë në fushën e hotelerisë. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen prej 100 milionë eurosh për blerjen e 100 për qind të aksioneve të hotel ‘Sheraton’. Ne kemi në plan të investojmë plot 20 milionë euro në këtë hotel, në mënyrë që hotel ‘Sheraton’ të ofrojë një shërbim akoma dhe më cilësor se tani. Ne synojmë të arrijmë një standard edhe më të mirë menaxhimi për ta kthyer hotel ‘Sheraton’ në një prej hoteleve më të mirë në Ballkan”, tha ai. Falë investimeve që kompania “Taçi Oil” ka planifikuar të kryejë, ky hotel nuk do të ketë më pesë yje, por shtatë. Kjo do të thotë se hotel “Sheraton” në Tiranë do të jetë i vetmi hotel në Ballkan që do të mbajë shtatë yje. “Ne synojmë që të kemi të vetmin hotel në Ballkan me shtatë yje”, tha Taçi. Por edhe pse hotel “Sheraton” nuk do të jetë më pronë e grupit “Al Kharaf”, ky hotel do të vazhdojë të jetë pjesë e rrjetit “Sheraton”. E thënë ndryshe, “Taçi Oil” do të jetë e vetmja kompani shqiptare që do të përfaqësojë një emër të njohur në fushën e hotelerisë.
Projektet
Kompania “Taç Oil” së shpejti do të jetë prezent edhe në tregun bankar në vend. “Sapo kemi përfunduar blerjen e një banke. Aktualisht janë në përfundim e sipër edhe procedurat ligjore për mbylljen e kësaj blerje”, u shpreh ai. Madje, sipas tij, duke qenë se ata vetë vijnë nga fusha e biznesit, me blerjen e kësaj banke ata do të ofrojnë kushte më të mira për sipërmarrësit që do të jenë klientë të kësaj banke.

ARMO, 80 milionë USD investime

“Taçi Oil” si pjesë e konsorciumit “Anika Enterprises Rafinery of Texas&Mercuria Energy group” ka fituar tenderin ndërkombëtar për blerjen e rafinerisë së naftës ARMO. Sipas presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, vitin e parë ata kanë planifikuar të investojnë 80 milionë dollarë, nga ku 40 milionë dollarë do të investohen për ambientin dhe pjesa tjetër për përmirësimin dhe arritjen e standardeve evropiane në nënproduktet e naftës. Me përfundimin e këtij procesi, konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi që të blejnë karburant cilësor, por mbi të gjitha me çmim më të ulët. Në tenderin e zhvilluar në maj të 2008-ës, ky konsorcium ofroi 125 milionë euro për blerjen e ARMO-s. Përveç kësaj, konsorciumi fitues do të investojë dhe 240.5 milionë euro brenda katër viteve.

100 milione
euro është shuma që kompania “Taçi Oil” ka ofruar për blerjen e hotel “Sheraton” në Tiranë. Brenda një kohe të shkurtër kjo kompani do të investojë edhe 20 milionë euro

80 milione
USD do të investohen vitin e parë në rafinerinë e naftës ARMO. Rreth 40 milionë USD do investohen për përmirësimin dhe arritjen e standardeve evropiane në nënproduktet e naftës

Hoteli
Hotel “Sheraton” është i pari dhe i vetmi hotel që njihet ndërkombëtarisht me 5 yje. Hoteli gjendet në zemër të Tiranës, brenda një kompleksi biznesi, tregtimi dhe zbavitjeje, fare pranë shumë bizneseve dhe ambasadave. Hoteli ka një total prej 151 dhomash, duke përfshirë edhe 56 suita dhe katet e dy kullave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›