E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat dhe zgjedhjet

Mentor Nazarko 

Çështja e kartave të identitetit është shndërruar në element kyç i fushatës zgjedhore, por dhe i vlerësimit të cilësisë së këtyre zgjedhjeve. Ka pafundësisht shumë argumente që meritojnë shqyrtim më të hollësishëm. Disa prej tyre janë të meta që lidhen me paaftësinë kronike të qeverive shqiptare. Disa ngjajnë si të meta të qëllimshme. Po e nisim me të parat.
Kartat e identitetit lidhen me një të drejtë të rëndësishme politike, më të rëndësishmen, atë të zgjedhjes. Në këtë kuptim, procesi i pajisjes me karta, që në origjinë s’ka lidhje me zgjedhjet, (kartat shërbejnë më së pari për identitetin e qytetarëve) duhet të kishte filluar shumë kohë më parë. Kështu as dhe për një individ të vetëm nuk do të vihej në rrezik e drejta e votës. Aq më shumë, kur vonesa krijon probleme në të drejtën e votës jo për një individ, por për qindra mijëra qytetarë. Qeveria realisht e nisi shumë vonë këtë proces pajisjeje, duke patur parasysh kapacitetet e kufizuara administrative të shtetit shqiptar, problemet me energjinë, internetin etj., etj., por dhe edukatën civile të vetë qytetarëve.
Qeveria jo vetëm e nisi vonë këtë proces, por në rastin më të mirë, e nisi e papërgatitur atë. Pra po e klasifikojmë këtë vonesë si nga padija, dhe jo të qëllimshme. Procesi nisi ashtu pafajshëm si proces thjesht pajisjeje me dokumente, duke injoruar lidhjen e tij me të drejtën politike më të rëndësishme, të drejtën e votës. Në respekt të saj, do të duhej që në fillim të prioritizohej pajisja e qytetarëve që nuk kishin dokumente të tjerë identifikimi dhe vetëm pas 28 qershorit, të vazhdohej me qytetarët e tjerë. Edhe vetë opozita ama, duket sikur e la qëllimisht qeverinë të gabonte: ajo do të duhej t’ia bënte të qartë shumë kohë më parë këtë kërkesë qeverisë. Qeveria ndërkaq dëfteu volontarizëm të patolerueshëm në të gjithë procesin; udhëzime që kundërshtonin njëri-tjetrin, herë pas here me probleme kushtetuese, madje (kushtëzime me të drejtën e lëvizjes, të marrjes së pensioneve etj.). Ajo dëfteu gjithashtu dhe rënie në grackën e opozitës, apo në banalitet elektoral me këtë proces të rëndësishëm për seriozitetin e një shteti: loja me romët, egjiptianët etj., etj.
Procesi i pajisjes me kartën e identitetit do të duhej të ishte dëshmi e modernizimit cilësor të shtetit shqiptar të shekullit të 21, modernizim që në fakt, është vonuar pikërisht nga klasa politike e të dy krahëve, që e kanë shtyrë vazhdimisht atë. Janë pikërisht dy partitë kryesore në pushtet, që kanë vonuar regjistrimin e qytetarëve, standardizimin cilësor të zyrave të gjendjes civile etj., etj., pikërisht pse kanë dashur të lundrojnë në paqartësinë e dokumenteve të identifikimit, për të manipuluar me zgjedhjet. Me të drejtën politike më të rëndësishme, atë të votimit.
Pse mund të ketë faj qeveria?
Siç shikohet procesi i pajisjes me karta identiteti bën të paragjykueshëm jo thjesht një proces politik të rëndësishëm si procesi zgjedhor, por dhe punën e qeverisë për përgatitjen e tyre. Janë disa argumente që parashtruam më sipër e që meritojnë thellim. Për të kuptuar sa politike janë vonesat. Apo sa kosto politike kanë ato.
Prej të drejtës së votimit përjashtohen jo një, por dhjetëra mijëra shtetas në rastin më të mirë. Kur dihet se diferenca midis së majtës dhe të djathtës është e një rendi të tillë, pra të dhjetëra mijëra, me tendencë ekuilibrin, atëherë kuptohet rëndësia e kësaj mungese të madhe në pajisjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.
Po çfarë janë ata që mund të mbeten pa dokumente? Ndërsa bën një prerje sociale të atyre që mund të mos kenë asnjë dokument identifikimi, pra as pasaportë, me teorinë e përjashtimit, i bie që grupi më i gjasshëm pa këto dokumente, të jenë të varfrit. Ata që s’kanë pasaportë ndërkombëtare, sepse s’kanë mundësi të udhëtojnë jashtë; që s’kanë motiv për t’u pajisur me dokumente, që jetojnë larg qendrave të pajisjes, pra nëpër periferira, apo në zona të thella malore, apo në skajet e shoqërisë në përgjithësi etj., etj. Ky grup social është më i prirur të votojë për opozitën apo logjikisht është më i manipulueshëm se grupet e tjerë shoqërorë.
Procesi është i paragjykueshëm në dëm të qeverisë edhe për një arsye tjetër. Kur dokumenti bazë identifikues për votuesit ishte certifikata, pajisja me to ishte në duar të dy palëve që kontrollonin pushtetin lokal, pra zyrat e gjendjes civile. PS dhe PD përdornin me siguri thuajse matematike mungesën e seriozitetit të procesit në përgjithësi, për të lëshuar certifikata me shumicë, me emra emigrantësh që janë në listën kombëtare zgjedhore. Sot ai është në duar të qeverisë, bashkë me kompaninë franceze (joarmike të qeverisë); procesi është centralizuar, kështu që përgjegjësia është totalisht e shumicës. Për këtë arsye duhet vlerësuar me seriozitet çdo lloj zëri për manipulim me procesin e kartave, si për shembull, preferencat politike në shpërndarje, dublimet etj., etj.
Sjellja e qeverisë në këtë proces është e paragjykueshme dhe për shkak të kaluarës së partisë që është në pushtet: zgjedhjet e 1996, apo dhe proceset zgjedhore të mëvonshëm nuk janë për t’u injoruar. Mund të mos paragjykoje një parti që nuk do kishte në historikun e vet bëma të tilla, apo huqe të tilla të paharrueshme, por mjerisht jo PD-në.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe problemet që krijohen me zgjedhjet tashmë shikohen prej miqve tanë me optikë tjetër, më të rreptë. Çdo lloj pretendimi i opozitës merret për fatin e keq të qeverisë, shumë më seriozisht se më parë, kështu që është me të vërtetë tronditëse mënyra sesi qeveria po e trajton këtë çështje. Nuk mund të lahen duart me fajin, duke thënë se “ne nuk mund të sjellim me dhunë ata që nuk duan të pajisen me dokumente”.
Rëndësia e kartave të identitetit për seriozitetin e zgjedhjeve, për standardin e tyre, pavarësisht rezultatit, është aq e madhe sa mbetet vetëm një zgjidhje: palët duhet të ulen sot dhe në moderimin e faktorit ndërkombëtar të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, ashtu siç propozon LSI-ja. Çdo ditë që kalon është vonë. Përndryshe do duhet të mendojmë se dhe ajo që duket si paaftësi, është e qëllimshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›