Divorci, 35-vjeçari vret veten me armën e gardianit
Etleva Delia
Një 35-vjeçar, baba i dy djemve të mitur, vrau veten dy ditë më parë, pasi bashkëshortja i kishte kërkuar divorcin. Anton Lleshi është gjetur i vrarë në dhomën e gjumit mëngjesin e së dielës. Ngjarja ka ndodhur në bllokun e pallateve "Çabej" në lagjen "Misto Mame", pranë Kombinatit në Tiranë, në apartamentin që familja Lleshi e kishte marrë me qira prej disa muajsh. Lleshi prej kohësh dyshonte se gruaja e tradhtonte, por dyshimet dhe xhelozia që ai kishte, ishin konfirmuar disa ditë më parë nga bashkëshortja e tij. Sipas burimeve nga grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, mësohet se bashkëshortja i kishte kërkuar divorcin, pasi kishte lidhje me një tjetër. Këtë fakt duket se ai nuk e ka përballuar dot dhe ka vendosur që të vetëflijohet. Disa ditë më parë, 35-vjeçari i kishte marrë fshehurazi armën e shërbimit një mikut të tij, i cili punonte gardian në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Me këtë pistoletë tip "TT", Lleshi ka realizuar vetëvrasjen, duke përfituar nga koha kur ndodhej vetëm në shtëpi. Mësohet se bashkëshortja dhe dy djemtë e mitur kishin shkuar prej disa ditësh në fshatin Kryezi të Pukës.
NGJARJA
Ka qenë ora 09:00 e mëngjesit të së dielës kur salla operative e Policisë së Tiranës është njoftuar për një vetëvrasje në bllokun e pallateve "Çabej" të lagjes "Misto Mame" në Tiranë. Menjëherë një grup oficerësh nga seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit dhe të Komisariatit nr. 6 kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Aty është gjetur i vrarë me një plumb në kokë 35-vjeçari Anton Lleshi, baba i dy fëmijëve, i cili në momentin e vetëvrasjes ndodhej vetëm në shtëpi. Nga hetimet e deritanishme mësohet se i ndjeri Anton Lleshi prej disa kohësh po përjetonte xhelozi ndaj të shoqes dhe dyshonte se e tradhtonte. Ndërkohë disa ditë më parë ajo i kishte kërkuar divorcin, pasi kishte një lidhje tjetër. Sipas policisë ky ka qenë shkaku që 35-vjeçari ka planifikuar vetëvrasjen, duke e realizuar mëngjesin e së dielës. Pas ekspertimit të armës, me të cilën Lleshi ka kryer vetëvrasjen, është zbuluar se pistoleta tip "TT" i përkiste një gardiani burgu, Fadil Hyseni, të cilin i ndjeri e kishte mik. Ai ia kishte marrë fshehurazi armën, duke mos i treguar asgjë mikut të tij dhe më pas është vetëvrarë.