E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e identitetit pa elemente sigurie, zgjedhësit mund të votojnë sa herë të duan

PS, letër OSBE/ODIHR dhe KQZ: Falsifikimi i kartave po rrezikon zgjedhjet
Vazhdon odiseja e konfliktit midis PS-së dhe qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve, por këtë radhë jo për pajisjen e shtetasve dhe mungesën e informacionin për to, por për falsifikimin e letërnjoftimeve të reja. Në kuadër të çështjes së pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit, Partia Socialiste i ka dërguar dje letrën e saj të katërt prezencës së OSBE, Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri, ODIHR dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me rezervat dhe propozimet që ajo ka mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Letra në fjalë është nënshkruar nga Fatmir Xhafaj, sekretar për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në selinë rozë, ku ndër të tjera ajo citon se në praktikën konkrete të përditshme, rezulton të jetë e pamundur që komisionerët e qendrave të votimit të verifikojnë vërtetësinë e kartave të identitetit dhe pasaportës për jashtë shtetit. Verifikimi i saktësisë dhe autenticitetit të dokumenteve të identifikimit që do të përdoren në procesin e votimit bëhet edhe më tej i domosdoshëm në kushtet kur raportohen pasaktësi në mbushjen e tyre dhe mundësi të aplikimit më shumë se një herë të një shtetasi. Nisur nga eksperienca në vende te tjera ku në qarkullim janë gjendur edhe letërnjoftime elektronike të falsifikuara, nevoja për përdorimin e pajisjeve që do të bënin dallimin mes dokumenteve të saktë, prodhuar dhe shpërndarë nga kompania Aleat dhe atyre të falsifikuar, bëhet emergjente, parashtrohet më tej në letrën e lartpërmendur. Më tej letra vijon, duke shpallur në mënyrë të detajuar një kërkesë ndaj OSBE-ODIHR dhe KQZ-së, për shqyrtimin dhe vendosjen e  mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV) për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit. Si rrjedhojë e këtyre dyshimeve për pasigurinë e kartave elektronike, Partia Socialiste u drejtohet këtyre 3 dikastereve, si institucione përgjegjës përballë ligjit për administrimin, drejtimin dhe kontrollin e procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor, që të shqyrtojnë dhe të vendosnin për krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV), për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit. Zgjidhja për këtë shqetësim të posaçëm realizohet nëpërmjet pajisjes së komisioneve (KQV) me nga një pasje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike. Partia Socialiste beson fort se një vendim i tillë do të shërbejë si një garanci e domosdoshme për ti prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme. Partia Socialiste beson fort se dukuritë e përsëritura në proceset e mëparshme zgjedhore të votimit me certifikata të falsifikuara, në kushtet e mungesës së kontrollit të tyre në KQV, do të shmangeshin në maksimumin e mundshëm me marrjen e një vendimi të tillë nga ana juaj, thekson më tej Partia Socialiste me ana të letrës. Sipas letrës, Partia Socialiste çmon se kërkesat e sajë janë plotësisht të realizueshme dhe tërësisht të legjitimuar, të cilat do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit në procesin e votimit në 28 qershor 2009. Ndërkaq, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kërkon edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore për verifikimin e vlefshmërisë se kartave te identitetit. Për sa i përket legjitimitetit të kërkesës, PS-ja përmend Ligjin nr. 10 019, datë 18.11.2008, i cili parashikon se Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, neni 105, përcakton se  zgjedhësit në qendrën e votimit do të identifikohen vetëm përmes dy dokumenteve, a. Kartë Identiteti dhe b. Pasaportë për jashtë shtetit. Më këtë, PS-ja i kërkon KQZ-së që të saktësojë përfundimisht se me çfarë dokumentesh identifikimi do të votojnë zgjedhësit. Së fundmi letra citon se në funksion të detyrës kushtetuese e ligjore që ka KQZ-ja për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, besimi i palëve në këtë proces është thelbësor dhe garanci paraprake për vetë suksesin e procesit. Në këto kushte, sipas P-së, kjo kërkesë duhet të konsiderohet nga KQZ-ja, si një nevojë e domosdoshme që duhet adresuar pozitivisht me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 15:24

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›