Nishani, përgënjeshtron akuzat e PS: Kartat e identitetit të pafalsifikueshme
Menjëherë pas deklaratave të Partisë Socialiste për mundësitë e falsifikimit të kartave të identitetit, ka reaguar Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, duke përgënjeshtruar akuzat e socialisteve. Sipas Nishanit, kartat e identitetit janë të pafalsifikueshme, duke përjashtuar çdo mundësi të marrjes së karave më shumë se 1 herë. Kështu, kreu i ministrisë së Brendshme hodhi poshtë çdo pretendim nga selia rozë për mundësinë e marrjes së dy letërnjoftimeve nga i njëjti person, duke theksuar se Ministria e Brendshme është e gatshme të verifikojë çdo pretendim të PS-së.
Sipas Nishanit, të dhënat që Partisë Socialiste i janë vënë në dispozicion, janë të freskuara çdo ditë dhe nga ana e strukturave përgjegjëse në këtë proces nuk ka asnjë tentativë për të spekuluar me këto të dhëna. Ne jemi të gatshëm të verifikojmë të gjitha pretendimet e socialistëve, për atë që ato e quajnë mosrakordim të informacionit të vënë në dispozicion nga ministria e Brendshme, bëri të ditur ministri Nishani, duke garantuar se nuk ka pasur asnjë tentativë për spekulim apo qëndrim spekulativ nga ana e strukturave të ministrisë së Brendshme lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik. Gjithashtu, kreu i ministrisë së Brendshme hodhi poshtë pretendimet e selisë rozë për bllokim informacioni nga strukturat e ministrisë së Brendshme, ndërsa siguroi se në se ka mospërputhje apo gabime të pretenduara nga Partia Socialiste. Më tej ai siguroi se është gatshëm që në bashkëpunim me socialistët të verifikojë të gjitha pretendimet që vinë nga selia rozë apo institucionet e tjera që ne u kemi dërguar informacion. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë, Partia Socialiste deklaroi nëpërmjet Kastriot Islamit, se do të bëjë kallëzim penal ndaj Ministrisë së Brendshme, për shpërdorim detyre dhe falsifikim të informacioneve zyrtare në lidhje me pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit. Megjithatë, në ato informacione të pakta që MB-ja i ka paraqitur PS-së, deri më tani rezulton të kenë aplikuar 418 956 shtetas pa pasaportë, kur numri i përgjithshëm i kësaj kategorie është 700 mijë shtetas. Ndërkaq, ajo që mbetet e shqetësuese dhe e mjegull për socialistët, është numri i shtetasve që janë pajisur me kartat e identitetit, sepse MB-ja ka paraqitur vetëm shifrat e atyre që kanë aplikuar, por jo të atyre që janë pajisur. Nga 460 mijë shtetas që kanë aplikuar, mësohet se vetëm 260 mijë janë pajisur. Pra, rreth 30 % të shtetasve pa pasaportë rrezikohen të mos marrin karta identiteti para 28 qershorit. Megjithatë, tani debatet po zhvendosen në elementet e sigurisë së kartave, që sipas socialistëve ato janë lehtësisht të falsifikueshme.