Presidenti Topi pret delegacion e Gjykatës italiane së Kasacionit
Kreu i Shtetit, Bamir Topi, priti dje në ambientet e Pallatit të Brigadave, Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës italiane, Vinçenco Karbone dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Pasi u uroi mirëseardhjen miqve si dhe Festën Kombëtare të Italisë, Presidenti Topi bëri një përshkrim të reformave themelore të ndërmarra në vend, si reforma në drejtësi, ajo zgjedhore, etj, si dhe vuri në dukje arritjet e Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet e falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë, në mbështetje të vendit tonë për integrimin e plotë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Evropian.
Presidenti Topi, duke vënë në dukje faktin se Italia është partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe duke vlerësuar kontributin e vyer politik dhe institucional të Italisë, shprehu besimin në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve e popujve miq. Në vijim të bisedës, me cilësinë edhe të Kryetarit të KLD-së, Presidenti Topi vuri në dukje se në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend, është një detyrim parësor, për të cilat shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në sistemin e drejtësisë. Kreu i Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tij në vendin tonë si dhe puna dhe profesionalizmi i juristëve, të cilët, duke kryer me dinjitet, kurajë civile dhe paanshmëri detyrat institucionale, kontribuojnë thellësisht në forcimin e shtetit të së drejtës, vlerësoi gjithashtu kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Republikës italiane, Vinçenco Karbone, në emër edhe të delegacionit që e shoqëron, shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Në këtë kuadër, theksoi zoti Karbone, janë shumë të vyera vizitat e ndërsjella mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë, si dhe shkëmbimi dhe ndarja e vazhdueshme e përvojës pozitive. Zoti Karbone vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Presidentit Topi dhe punën e madhe të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, duke theksuar që njerëzit e drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij.