E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, fushatë në vendlindjen e Metës



Kreu i PS-së, Edi Rama, nuk e ka parë aspak si pengesë Skraparin, vendlindjen e kundërshtarit të tij brenda së majtës, Ilir Meta, për të bërë fushatë. Madje, sipas informacioneve të PS-së, ai ka pasur një takim masiv dje në qytetin e Kuçovës, duke prezantuar kandidatët për deputetë për qarkun e Beratit. Ndërkaq, Meta për herë të parë nuk do të kandidojë në zonën që përfshin Skraparin, duke e vënë emrin e tij në listën e kryeqytetit. Ndoshta kjo do të jetë zona që do të jetë më e dyzuar në votën e elektoratit të majtë, i cili duhet të zgjedhë mes Ramës e Metës. Zyra e shtypit në PS thotë se “Edi Ramën në Kuçovë e ka pritur i gjithë qyteti, me bindjen se një e ardhme e re duhet për vendin. Rama ka prezantuar kandidatët e Qarkut të Beratit në takimin, i cili më shumë i ngjante një feste të madhe të ndryshimit”. Ndërkaq Rama nuk ka hedhur ndonjë kritikë ndaj Metës, megjithëse ai përfshihet në atë që ai e cilëson si politika e vjetër e 18 vjetëve. Kreu i PS-së tha se punësimi është themeli i programit të ri socialist, dhe se çdo njeri pas 28 qershorit do ketë të drejtën të jetojë me punë të ndershme në këtë vend. “Mjaft më me lojën e vjetër të politikanëve, të cilën e vuajnë me papunësi e varfëri qytetarët”, - tha ai. Ndërkaq, po dje është ndalur në Berat ku është shprehur se “sfida kryesore nuk është mundja e kundërshtarit politik, por ngritja e Shqipërisë që të gjithë e kemi ëndërruar, por nuk e shohim të realizuar”. “Duam të ndahemi nga Shqipëria e papunësisë dhe e varfërisë, për të ndërtuar Shqipërinë e punës, Shqipërinë e shkollave evropiane, Shqipërinë ku sipërmarrja nuk denigrohet, por stimulohet në aktivitetin e saj”, - theksoi ai.

Meta, fushatë kundër Ramës në kryeqytet

Ndërkohë që kundërshtari i tij brenda llojit, Edi Rama, ishte në Skrapar, Ilir Meta ka kritikuar qeverisjen e tij në kryeqytet, duke folur për betonizim të tij, një akuzë kjo e vjetër në drejtim të bashkisë dhe e artikuluar kryesisht nga e djathta në pushtet. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi dje se "duke votuar për Aleancën Socialiste për Integrim, do të marrë fund betonizimi galopant i kryeqytetit tonë". Gjatë çeljes së fushatës elektorale të Partisë së Gjelbër, e cila është pjesë e koalicionit “Aleanca Socialiste për Integrim”, në hotel "Tirana International", kreu i LSI-së theksoi se "sot duhet të ndërgjegjësojmë shqiptarët që vota e tyre për alternativën e gjelbër është vota për jetën, për shëndetin dhe për integrimin e sigurt të Shqipërisë në Evropë”. "Ne jemi të kënaqur që kemi në koalicionin tonë Partinë e Gjelbër, e cila në këto zgjedhje do të tregojë seriozitetin e alternativës evropiane, që ajo përfaqëson në Shqipëri", - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›