Pranga adoleshentit, vidhte çantat e grave të moshuara
Dy adoleshentë kishin gjetur një mënyrë për të siguruar të ardhurat ditore për veten e tyre. Survejonin gratë e moshuara dhe u suleshin për t’u grabitur çantat. Kryesisht adoleshentët përzgjidhnin ato që ishin vetëm, duke u ndenjur afër dhe vëzhguar, dhe ndërsa ato nuk e kishin mendjen në momentin që u ishin afruar banesave, ata gjenin rastin dhe u rrëmbenin çantat e dorës. Brenda tre muajve, sipas burimeve policore të qytetit të Durrësit, adoleshentët kishin realizuar të paktën gjashtë vjedhje të kësaj mënyre. Dje, uniformat blu të Durrësit në bashkëpunim me Seksionin për Krimet Kundër Pronës finalizuan operacionin e koduar “Çanta”, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të 17-vjeçarit F.R., lindur në Përmet dhe banues në lagjen nr. 18 Durrës, me arsim 6 klasë. Sipas policisë, adoleshenti në bashkëpunim me shokun e tij, E.D., po 17 vjeç, banues në lagjen nr.18 i shpallur tashmë në kërkim, në periudhën shkurt–prill 2009 kanë kryer vjedhje të çantave të dorës të grave të moshuara. Sipas policisë, dy minorenët ishin kthyer në makthin e të moshuarave. Sipas burimeve zyrtare policore, ata ndiqnin këtë rrjedhë veprimesh për të kryer vjedhjet e tyre. Pasi i ndiqnin për një farë kohe të moshuarat gjatë aktivitetit të tyre të ditës me kryerjen e pazareve (blerjes së ushqimeve), saktësonin vendndodhjet e banesave të tyre dhe menjëherë sapo i konstatonin në hyrjet e pallateve, kryenin vjedhjen e çantave të dorës, duke ua shkëputur me forcë. Në disa raste viktimat e tyre kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas denoncimeve të kryera, Seksioni për Krimet Kundër Pronës realizoi operacionin e koduar “Çanta” dhe në orët e pasdites të së mërkurës, në momentin kur F.R., po kryente vjedhjen e radhës në lagjen nr.11, duke i marre shtetases Sotira N., banuese në këtë lagje, çantën e dorës, me sende të ndryshme personale dhe një sasi prej 800 lekësh, u kap nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme.
Rastet e vjedhjeve
Kështu, sipas policisë, më datë 04.02.09 në lagjen nr.4 i kanë vjedhur shtetases Ismete P. çantën e dorës në të cilën kishte një shumë prej 18.000 lekësh të reja dhe një aparat celular; më datë 17.02.09 në lagjen nr.3 të qytetit i kanë vjedhur shtetases Servete T. çantën e dorës në të cilën kishte shumën prej 12.000 lekësh të reja dhe një aparat celular; më datë 21.03.09 në lagjen nr.4 të qytetit i kanë vjedhur çantën e dorës shtetases Mereme B., në të cilën kishte sende personale dhe një shumë prej 1000 lekësh të reja, katër ditë më vonë në lagjen nr.11 të qytetit i kanë vjedhur shtetases Nije D. çantën, në të cilën kishte shumën prej 88.000 mijë lekësh të reja dhe 240 euro; si dhe më datë 19.04.09 në lagjen nr.12 të qytetit i kanë vjedhur shtetases Nafije H. çantën e dorës, në të cilën kishte shumën prej 2000 lekësh, ndërsa 10 ditë më vonë në lagjen nr.11 i kanë vjedhur çantën e dorës shtetases Sotira N. Policia kreu edhe një kontroll në banesën e 17-vjeçarit, ku gjeti sende të ndryshme, si aparate telefonike të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia ka shoqëruar në qelitë e komisariatit 17-vjeçarin, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”. Ndërkohë uniformat blu po punojnë për arrestimin e shtetasit E.D.