Malta, Hani u kërkoi llogari “senatorëve”
Fatjon Kodra
Barazimi i Shqipërisë ndaj Maltës është parë në shumë aspekte dhe nga shumëkush si një nga zhgënjimet e mëdha të kombëtares tonë në këto eliminatore, një rezultat që preu shpresat e të gjithë dashamirësve të ekipit përfaqësues të shihnin skuadrën e zemrës në një eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar siç është Kupa e Botës. Por barazimi me maltezët duket të ketë prekur keqas dhe vetë trajnerin Ari Han, i cili ndryshe nga qëndrimi i tij zyrtar në publik, është treguar mjaft i rreptë me një pjesë të skuadrës, duke u kërkuar “llogari” sidomos lojtarëve kryesorë të skuadrës. Në të vërtetë ekipi luajti përgjithësisht mirë në pjesën e parë, por burime pranë kampit kuqezi theksojnë se që në 45-minutëshin e parë trajneri dhe drejtues të tjerë të skuadrës kishin kuptuar se diçka nuk shkonte si duhet dhe kjo ka qenë dhe arsyeja që drejtues të ekipit, me në krye presidentin Armand Duka, kanë zbritur në pushim të ndeshjes në dhomat e zhveshjes, duke inkurajuar grupin të bënte lojë kolektive dhe ta fitonte ndeshjen. Por kjo nuk ka mjaftuar dhe kur të gjithë prisnin që ekipi në pjesën e dytë të shënonte dhe ta fitonte këtë sfidë të rëndësishme, ai jo vetëm nuk mundi, por bëri në fushë një paraqitje mjaft të dobët, një performancë që shokoi mbështetësit e kombëtares dhe vetë trajnerin Ari Han. Ky i fundit nuk ka humbur kohë, por ka mbledhur në mënyrë urgjente “senatorët” kuqezi, të cilëve u ka kërkuar shpjegime mbi lojën e dobët dhe mbi arsyet që çuan skuadrën në një lojë të tillë pa drejtim dhe pa iu përmbajtur detyrave taktike. Mbetet enigmë pse Hani ka marrë në “pyetje vetëm lojtarët kryesorë, si Bogdani,Skela, Duro etj, ndërkohë që një pjesë e lojtarëve të rinj nuk janë thirru prej tij. Në këtë mbledhje të shkurtër të bërë me “senatorët” kuqezi, holandezi ka kërkuar sqarime individuale për secilin prej tyre dhe në tërësi për performancën e dobët të ekipit. Lojtarët i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme sipas versionit të tyre për lojën, por mësohet në përgjithësi se ata kanë pranuar gabimet. “shuplaka” e Hanit është adresuar në këtë mënyrë drejtpërdrejt te lojtarët e vjetër në skuadër dhe siç vlerësojnë burimet tona, ai ka qenë mjaft i zhgënjyer nga lojtarët e mesfushës dhe sulmit, sidomos nga tre lojtarët bërthamë të ekipit në këtë ndeshje, Bogdani, Duro dhe Skela, që nuk mundën të organizonin ekipin në një mënyrë të tillë që të fitonte ndeshjen. Me pak fjalë, Ari Han e dha goditjen e tij të parë të pakënaqësisë që këtë herë iu adresua drejtpërdrejt “senatorëve” të ekipit.
Holandezi barazon Brigelin
Holandezi Ari Han dhe gjermani Hans-Peter Brigel kanë grumbulluar në pesë ndeshjet e para një numër të barabartë pikësh: nga 6 të tilla, respektivisht në eliminatoret e Botërorit 2010 (Hani) dhe kualifikueset e Botërorit 2006 (Brigeli). Në pesë ndeshjet e para eliminatore të Evropianit 2008, trajneri kroat i Shqipërisë, Oto Bariç grumbulloi vetëm 3 pikë. Si Hani ashtu dhe Brigeli kanë grumbulluar gjashtë pikë nga 15 të mundshmet, ndërsa Bariç 3 pikë nga 15 të mundshmet.
Treshja më e kritikuar
Loja në mesfushë dhe në tërësi në planin organizativ ka çaluar mjaft dhe kjo është një nga arsyet që tekniku kuqezi Ari Han ka kritikuar dyshen e fazës ofensive Duro-Skela. Sidomos loja e dobët e Duros ka mjaftuar për holandezin që të zbrazë ndaj mesfushorit kuqezi një lumë kritikash. Por kritikat kanë qenë specifike dhe për Bogdanin, që nuk mundi të ishte i vëmendshëm në ato pak raste që ekipi krijoi, edhe pse i pati të gjitha mundësitë për të shënuar.