E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i Ballkanit, kompanitë italiane interes për ta “pushtuar” duke u nisur nga Shqipëria



Kompanitë italiane të prodhimit të makinerive dhe pajisjeve të ndryshme shfaqin interes për të eksportuar në tregun ballkanik, duke i nisur produktet e tyre nga Shqipëria. Instituti Italian i Tregtisë së Jashtme, në bashkëpunim me kompanitë e interesuara, kanë paraqitur projektin për Ballkanin, i cili synon që të eksportohen nga Italia drejt Shqipërisë makineritë e përpunimit të metaleve si edhe pajisje të tjera për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në fjalën e tij, Francesco Vitulli, drejtor i Institutit Italian për Tregtinë e Jashtme, u shpreh: “Kjo iniciativë për Shqipërinë është e ndërlidhur me interesin italian për të gjithë Ballkanin. Ajo pason nisma të tjera të zbatuara në Shqipëri në bashkëpunim me sektorin prodhues”. Më tej, Stefano Simioni, përfaqësues i kompanive italiane, shtoi: “Projekti për Ballkanin konsiston në dy faza. Faza e parë është kryerja e studimeve në tregun në Shqipëri, Kroaci, Serbi dhe Slloveni për të parë mundësitë. Faza e dytë është prezantimi i konkluzioneve të këtij studimi, ku do të hidhen edhe bazat e bashkëpunimit mes kompanive të të dy vendeve”. Italia renditet vendi i katërt në botë për prodhimin e makinerive të përpunimit të metaleve dhe e treta për eksportin e tyre, ndërmarrjet italiane në ekspansion të vazhdueshëm për herë e më shumë po u drejtohen si tregjeve të largëta, ashtu edhe atyre të afërta me një përqindje zhvillimi domethënës, si vendet e zonës së Ballkanit, për të qenë të parat për t’i eksploruar dhe për t’i bërë ballë konkurrencës gjermane.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›