E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, zonat që kanë më shumë probleme me kufijtë

Analiza e Prefekturës së kryeqytetit zbardh pjesët më problematike. Keçi: ”Mes disa njësive ekziston prej vitesh konflikti i kufijve administrativë”

Emanuela Sako

Qarku i Tiranës po përballet me problemet e kufijve administrativë mes disa njësive vendore. Problemi ka qenë ekzistues prej disa vitesh dhe vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur për kryeqytetin. Gjithçka është bërë e ditur gjatë analizës vjetore të Prefekturës së Qarkut të Tiranës, ku ishte i pranishëm dhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone. Prefekti i Qarkut të Tiranës, Ruzhdi Keçi, theksoi se ndërmjet disa njësive vendore ekziston prej vitesh konflikti i kufijve administrativë, i cili ka krijuar jo pak situata të pakëndshme. Keçi shprehet se kjo çështje ishte e pamundur të zgjidhej nga Prefektura dhe për këtë arsye çështja i ka kaluar Komisionit Vendor të Titujve të Pronësisë. “Pas takimesh e diskutimesh për të zgjidhur problemin mes palëve, aktualisht Këshilli i Qarkut ka hequr dorë nga kjo zgjidhje duke e përcjellë atë pranë Komisionit Vendor të Titujve të Pronësisë”, - u shpreh Keçi.
Zonat
Specialistët përcaktuan se cilat janë zonat më problematike përsa u përket vendosjes së kufijve administrativë. Më i mprehtë ky problem paraqitet midis zonës së Pezës dhe Ndroqit, si dhe zonës Vorë-Kashar. Ndërtimet në këto zona kanë marrë një vrrull të madh vitet e fundit. Ndërsa Sektori i Kompetencave Vendore për vitin 2008 ka trajtuar rreth 200 shkresa të ardhura nga njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë mbartur informacione mbi investimet publike, probleme të pronësisë mbi tokën, të cenimit të banesave nga ndërtimet me ose pa leje, të kufijve administrativë midis njësive vendore, etj.
Komisioni
Aktualisht, pranë Prefekturës së Qarkut të Tiranës është ngritur Komisioni i Titujve të Pronësisë, që ka filluar punë më 13 tetor 2008. Megjithëse Komisioni ka filluar punë prej disa muajsh, specialistët po përballen me mungesë të logjistikës së nevojshme, ku akoma nuk është plotësuar kuadri ligjor për funksionimin normal të tij. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe 3- mujore janë protokolluar gjithsej 355 kërkesë-ankesa. Keçi cilësoi si një problem të pazgjidhur marrëdhëniet mes drejtorive rajonale dhe njësive vendore për mosvjeljen e gjobave të aplikuara prej strukturave kontrolluese. Sipas tij, nga ana e policive bashkiake dhe asaj komunale nuk po administrohet siç duhet ky fenomen, duke injoruar indirekt këtë burim të ardhurash.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›